Audio-incizimet për grurin, MINT: Janë thashetheme, kanë qëllim denigrimin e Rozeta Hajdarit

by informim

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i ka mohuar pretendimet e disa audio-incizimeve për keqpërdorime në rezervat e grurit.  

Audio-incizimeve të publikuara, Ministria iu është referuar si thashetheme “tendecioze dhe të pavërteta” dhe i quan ato përgjime të orkestruara.

banner

MINT thotë ato janë publikuar “me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj”.

Reagimi i plotë i Ministrisë:

Sqarim për publikun:

SHPIFJET NË DËM TË SIGURISË KOMBËTARE DO TË DENONCOHEN DHE PËRBALLEN ME DREJTËSINË

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, reagon lidhur me shpifjet dhe fyerjet e publikuara në një nga portalet mediatike, përmes përgjimeve të orkestruara dhe të transmetuara gjatë ditëve të fundit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinion publik se, të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Ligjin Për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2022, Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/65 të datës 26.02.2022.

Në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të Rezervës Shtetërore, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka përfunduar me sukses, ndërsa dy procedura të prokurimit kanë dështuar, për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomik.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, furnizimi me mallra të Rezervës Shtetërore, bazike për jetën e qytetarëve, është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare, në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe kur gjendja e furnizimit të Rezervës Shtetërore në vendin tonë gjendej në sasi më të vogël, të nevojshme për jetesën dhe mbrojtjen e popullsisë, në rast të ndonjë krize për furnizim.

Gjersa lufta në Ukrainë, solli ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe mungesë të mallrave bazike, për shkak të ndalesës së eksporteve nga shumë vende, rritjes së inflacionit global dhe çmimeve, Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të MINT, rriti buxhetin për Rezervën Shtetërore dhe mori vendim për përjashtimin nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, sipas legjislacionit të lartëpërmendur në fuqi.

Rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit dhe situatave tjera të përcaktuara në nenin 2 të Ligjit nr. 03/l-244 për rezervat shtetërore të mallrave.

Përkundër ndikimit të luftës në Ukrainë me ndalesa të eksporteve dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit të mallrave bazike për jetesë, MINT, përmes Departamentit të Rezervave Shtetërore dhe Mallrave-DRSHM, ka rritur sasinë e rezervave për 30 fish më shumë, duke rritur kështu sigurinë kombëtare.

MINT siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike. Kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve tek organet e Drejtësisë dhe njëherit ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për çështjen në fjalë.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy