Të martën janë realizuar konsultimet e para ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX’it dhe KFOR’it për mundësinë e reduktimit të mëtejmë të pranisë policore brenda dhe afër ndërtesave të komunave në Veri të Kosovës.
Për kët hapa ishin dakorduar Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Emisari i BE’së Miroslav Lajçak gjatë negociatave në Sllovaki, por ka pasur zvarritje.
Të tri këto insticione kanë njoftuar për takimet që kanë pasur Shefi i EULEX’it Pietro Barbano, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Komandanti i KFOR’it, Angelo Michele Ristuccia.
Për takimin që u zhvillua të martën dha më së shumti detaje shefi i EULEX’it. Ai tha se në ditët në vijim do të ketë takime teknike.
“Dje pata një diskutim shumë të frytshëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Komandantin e KFOR’it, Angelo Michele Ristuccia: U dakorduam për modalitetet e përgjithshme për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj. Në ditët në vijim presim takime teknike vijuese me Policinë e Kosovës për të kryer vlerësime të përbashkëta dyjavore të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe #EULEX-it dhe – sipas rastit – me #KFOR-in”, shkroi Barbano në Tëitter, një ditë pas takimit”
EULEX ka qenë më i drejtpërdrejtë në një përgjigje për Gazetën Express të mërkurën. Ata kanë rikujtuar reduktimin në fazën e parë që ka bërë Policia e Kosovës duke theksuar se presin lëvizje të reja.
“Ne mirëpresim njoftimin e autoriteteve të Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të prezencës policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për të ulur më tej praninë e policisë” thuhet në përgjigjen e EULEX’it që i referohet tërheqjes së parë të policisë nga ndërtesat e komunave në Veri dhe afër tyre.
Misioni Europian për Sundim të Ligjit që ka marrë peshë më të madhë në Kosovë pas ngjarjeve në Veri, ka shtuar se pret hapa konkret për largimin e policëve tjerë.
“Në ditët në vijim presim të shohim hapa konkretë në këtë drejtim. Ne kemi rënë dakord për mbajtjen e takimeve teknike vijuese me Policinë e Kosovës dhe, sipas rastit, me KFOR-in, për të kryer vlerësime të përbashkëta dy-javore të sigurisë për situatën në veri të Kosovës, në mënyrë që të vlerësohet mundësia e një reduktimi të mëtejshëm brenda dhe përreth ndërtesave komunale” thuhet në përgjigjen e EULEX.