Për disa muaj me radhë Banka Qendrore e Kosovës po udhëhiqet nga një ushtrues detyre.
Ndonëse muajin e kaluar Kuvendi e ka zgjedhur Ahmet Ismailin si guvernator të ri, ai ende nuk e ka nisur punën, shkaku i mungesës së dekretit nga presidentja Osmani.
Megjithatë, nga Presidenca kanë treguar për Tëvë1 pse është bllokuar procedura e dekretimit të Ismailit.
“Pas ngritjes se çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e deputetëve të Kuvendit mbi kushtetutshmërinë e tërë seancës, e rrjedhimisht edhe vendimeve të marra në të, (ku ndër të tjera është votuar kandidati për guvernator), Presidenca është në pritje të sqarimit nga Gjykata Kushtetuese nëse ekziston masë e përkohshme për të gjitha vendimet e nxjerra nga Kuvendi, përfshirë edhe atë për guvernatorin”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.
Deputeti i njërës prej partive më të mëdha opozitare, Ferat Shala, e quan procesin e konkursit jo legjitim.
Ai thekson se me intencën për të dominuar me bashkëpartiak, pozita po i shkakton dëm të madh vendit.
“Lëvizjet politike që kanë ndodhur me zv.guvernatorin dhe disa pozicione tjera të qojnë në atë që Qeveria e ka me patjetër të vendos njerëz të dëgjueshëm në sistemin bankar, financiar të Kosovës. Në këtë relacion e ka dëmtuar shumë edhe kredibilitetin e bankës, por edhe kredibilitetin e ligjshmërisë së zgjedhjes së procedurave, në këtë relacion dëmi është jashtëzakonisht i madh”, u shpreh Shala.
Në anën tjetër, ekonomisti Mustafë Kadrijaj potencon se krahas dëmeve në aspektin ekonomik, po dëmtohet edhe imazhi ndërkombëtar i vendit.
“Kur nuk kemi në fakt zot shtëpie, bankat komerciale duhet ta dimë qartë se punojnë sipas ekonomisë së tregut dhe në fakt tentojnë që të gllabërojnë sa më shumë klientelin e tyre. Pra në këtë drejtim do të dëmtohet thjeshtë ekonomia e vendit, ndërsa në nivel të imazhit ndërkombëtar, pa dyshim që Kosova çdo ditë e më shumë imazhin është duke e venitur. Kjo do duhej të ishte një alarm për Qeverinë mirëpo siç duket po has në vesh të shurdhër”, vlerësoi Kadrijaj.
Që nga fundi i muajit mars Banka Qendrore menaxhohet nga guvernatori i përkohshëm, Bashkim Nurboja.