I dyshuari për vrasjen e 27-vjeçares nga Argjentina është i Kosovës me shtetësi zvicërane. Viktima dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë dhe e njëjta ka vdekur në QKUK si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.
Shtetasi i Zvicrës është arrestuar dhe sot me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje një muaj.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Ajo tha se pas kërkesës së prokurorisë, të njëjti i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Policia ka njoftuar se kjo ngjarje ka ndodhur me datën 1 gusht rreth orës 01:59 dhe dyshuari ka qenë duke qëndruar së bashku me viktimën.
Motivi i vrasjes nuk dihet, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Gazeta zvicërane “Blick” ka raportuar për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë.
“Blick” shkruan se nuk ka informacione për rrethanat e as motivin e vrasjes.
Departamenti Federal i Punëve të Jashtme konfirmoi arrestimin e shtetasit zviceran. Ambasada në Prishtinë është në kontakt me autoritetet përgjegjëse lokale. Për arsye të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, asnjë informacion i mëtejshëm nuk është i mundur, vijon tutje raportimin Blick.