Nga sot ka filluar të zbatohet projekti i mbrojtjes nga ndotja akustike, në sektorin e gastronomisë në Komunën e Prishtinës. Për ata që nuk i përmbahen, parashihen gjoba nga 500 deri në 5 mijë euro.
Lidhur me këtë projekt ka reaguar Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, e cila e ka quajtur të dështuar këtë projekt, duke thënë se janë tejkaluar afatet ligjore në secilin hap të planifikuar, raporton Express.
“Ky projekt ka dështuar qysh në fillim të implementimit të tij sepse: Janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore në secilin hap të planifikuar; Janë mbi 1,000 biznese ekzistuese, kurse për instalim të matësve kanë aplikuar vetëm 350 prej tyre;
Në këto 350 biznese të cilat kanë aplikuar për instalim të matësve, nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat konform legjislacionit dhe Rregullores në fuqi e që përfshijnë furnizimin me pajisje që tregojnë decibelët dhe qasjen nga bizneset, certifikata etj.
Trajtimi i kësaj problematike është tejet i nevojshëm, por trajtimi i duhur është thelbësor që zgjidhja të jetë e qëndrueshme. Me këtë qasje të Komunës së Prishtinës, qytetarët nuk do ta gjejnë qetësinë e kërkuar derisa bizneset do të gjobitën, ndërsa pushtetarët komunal do të vazhdojnë të thonë se “shumë po punohet në Prishtinë” Ky është dështimi dhe zhurma e radhës e Përparim Ramës”, thuhet në reagimin e VV’së.