Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar sot një aksion para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pas raportimeve të fundit në media lidhur me furnizimet për rezervat shtetërore. Sipas këtyre raportimeve, pagesat janë kryer por që malli nuk ka ardhur.
“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – janë disa nga parullat e aksionit të sotëm të RDK-së.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike.
“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin dhe sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj dhe sheqer me vlerë mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake. Paret i kanë dhënë, por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kërkun. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik, sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani, por vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, theksoi Salihu.
PDK ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe që organet e rendit të nisin hetime.
“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandalet e saj të njëpasnjëshme nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit t’i hetojnë këto skandale korruptive”, tha Salihu.