Berisha kërkon që Ahmetaj të mbrohet si bashkëpunëtor i drejtësisë

by informim

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u ka bërë thirrje institucioneve të marrin në mbrojtje ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar një urdhër arrest lidhur me hetimin për inceneratorët.

Përmes një deklarate për mediat, Berisha thekson se “kërcënimet me jetë ndaj familjes së Ahmetajt që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore, dëshmojnë se [Edi] Rama, [Engjëll] Agaçi dhe [Erion] Veliaj janë de facto dhe de jure, ligjërisht dhe penalisht, truri dhe ekzekutorët kryesorë të vjedhjes së shekullit.”

banner

“Ju bëj thirrje të gjithë hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vërtetës rreth vjedhjes së shekullit, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj. Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë”, tha Berisha.

Berisha më tej tha se kërkon dorëheqjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

“Edhe njëherë theksoj se afera e djegësave është vjedhja e shekullit, kurse hetimi është hetimi i shekullit. Sipas burimeve origjinale, po ushtrohet presion i madh ndaj ekipit të hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj të hetohet çdo kontakt i cilitdo punonjës me ekipin e hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të inspektorit të lartë të drejtësisë, Artur Metani, i cili është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të aferës së djegësave në Shqipëri”, tha Berisha.

Sipas tij, “Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në të gjithë argumentimet ligjore të Këshillit të Ministrave”.

“Artur Metani, ish-drejtues i departamentit juridik të Këshillit të Ministrave, që është gardiani kryesor i vendimeve të Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin kanë legjitimuar një procedurë krimi”, shton Berisha.

“Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit. Ai, pa asnjë tagër, ka kryesuar mbledhjen me 5 zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit, e bërë me qëllim nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi për të shkelmuar strategjinë e hartuar me 4 mln euro investime të BE për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri me depozitim, seleksionim, riciklim”, tha ai.

“Ky zotëri ka kryesuar mbledhjen pa asnjë tagër, thjesht për interesa të kupolës së mafies së plehrave. Ndaj i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti, sepse përbën kërcënim potencial madhor për të gjithë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi ai është vetë i inkriminuar plotësisht dhe tërësisht”, përfundoi deklaratën e tij Berisha.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy