Gazetari Adriatik Kelmendi e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shtyrje të vendimit të nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka gënjyer kur ka thënë se Klan Kosova nuk i ka bërë përmirësimet e nevojshme në dokumentacion.
“A po ju kujtohet që MINT dhe disa suflerë të pushtetit thonin nuk janë bërë përmirësimet? Rrena i ka këmbët e shkurtra”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka cituar një paragraf të vendimit të Gjykatës Komerciale.
Gjykata gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se paditësi ka bërë përmirësimet e nevojshme në shoqërinë tregtare të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, ashtu që sipas Certifikatës së Regjistrimit nr. ser. 10076953 dhe informatat e biznesit të lëshuara me datë 21.06.2023, “Klan Kosova” Sh.p.k. është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 26.11.2008, me numër unik identifikues 810795297 me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë, në pronësi të KGO Media Investments Holding me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatorëve, Prishtinë dhe person të autorizuar B.I. me adresë rr. “…” nr…., Pejë, Kosova.