Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se departamentet ligjore të ministrive nuk po koncentrohen gjatë përpunimit të ligjeve. Ai nuk e vlerëson në rregull që të dërgohen në Kushtetuese ligje sa dërgohen në Kosovë.
Kryeziu ka theksuar se departamentet ligjore duhet të punojnë në thellësi të ligjeve për t’i nxjerrë si duhet.
“Ligjet i përpunon departamenti ligjor qoftë i Qeverisë apo i ministrisë. Departamenti ligjor më duket se nuk koncentrohen, duhet të shikohet në këto ligje që përcaktojnë të drejtat dhe liritë e njeriut në punë, duhet të shikohen ligjet që aplikohen në Evropë dhe Ballkan, pastaj duhet të ketë kujdes në konventa ndërkombëtare të punës. Ndoshta departamenti nuk po mund t’i perceptojë në rregull këto çështje e pastaj kemi telashe të kësaj natyre në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë ai.
Kryeziu ka folur edhe për zgjedhjet në veri. Ai në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se zgjedhjet janë mbajtur sipas ligjeve, e se ju mungon legjitimiteti. Sipas tij, duhet të gjendet mënyra adekuate për largimin e kryetarëve të zgjedhur të komunave veriore.
“Për shembull, Kushtetuta neni 72 parasheh largimin përmes një peticioni ku duhet të nënshkruhen 20% e votuesve të regjistruar. Kjo është një alternativë ku për të larguar një kryetar duhet të arsyetohet, a e ka shkel ligjin, Kushtetutën, nuk i ka bërë zotimet, duhet ta arsyetosh shumë mirë. Nuk mund ta largosh një kryetar vetëm pse do që ta largosh, apo pse minoriteti serb do që ta largojë sepse shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut. Mënyra tjetër është e suspendimit që bëhet nga ministri i Pushtetit Lokal, pastaj shkon në Qeveri e pastaj në Gjykatë Kushtetuese. Për të shkarkuar janë të përcaktuara me Kushtetutë, duhet që ai kryetar të kryejë ndonjë veprim antiligjor. Pra, nuk ka shans”, ka theksuar ai.
Kryeziu ka thënë se alternativa më e mirë do të jetë që kryetarët të japin dorëheqje.
“Shansi më e mirë dhe më e lehtë është subjektive, njerëzore, për të dhënë dorëheqje. Edhe dorëheqja është një masë ndëshkuese, por instituti i dorëheqjes te ne nuk është shumë i njohur. Këta kryetarë duhet ta kapërcejnë veten, kisha rekomanduar që ata të japin dorëheqje”.