Ministri Elbert Krasniqi, që motivonte kryetarët e komunave veriore për rezistencë, gjatë kohës që Qeveria nuk pranonte tërheqjen e tyre nga objektet komunale, tani është angazhuar t’i largojë ata. Këtë Krasniqi pritet ta bëjë, sipas detyrave të dhëna nga Kryeministri Kurti, i cili tha se autoritetet po punojnë për zgjedhje të parakohshme në veri. MAPL ka nisur me hartimin e udhëzimin administrativ, i cili i hap rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, i ka rënë ta marrë përsipër çështjen e veriut, që nga vendosja e kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, në fund të majit. Përveç që të çojë dhe të mbajë kryetarët në kushtet e tensionuara, Ministri Krasniqi tani është i ngarkuar me punë në hapat për ta shtensionuar situatën në veri.
Ai tani duhet t’i nxjerrë kryetarët, pas marrëveshjes së Qeverisë me Bashkimin Evropian, përmes së cilës pranohen propozimet për de-eskalim. Aty përfshihet edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, pra largimi i kryetarëve që u zgjodhën në prill.
Ai tani duhet t’i nxjerrë kryetarët, pas marrëveshjes së Qeverisë me Bashkimin Evropian, përmes së cilës pranohen propozimet për de-eskalim. Aty përfshihet edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, pra largimi i kryetarëve që u zgjodhën në prill.
Kryeministri Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Pas kësaj, në funksion u vu Ministria e udhëhequr nga Krasniqi. Kryetarëve që janë vënë në krye të komunave që nga 29 maji, sipas ministrit, nuk do t’u kërkohet dorëheqja, prandaj do t’i bien në një rrugë tjetër për të larguar ata nga detyra. Përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është caktuar grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ “për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”.
Grupi punues përbëhet nga 11 anëtarë, ndërsa në vendim thuhet se në procesin e hartimit të draft-udhëzimit administrativ mbështetet nga kabineti i Ministrit të MAPL-së, Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe OSBE-ja.
“Grupi punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në njoftim.
Ministri Krasniqi ka thënë të mërkurën se ky draft i Udhëzimit do të jetë gati në shtator.
“Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e udhëzimit administrativ… dhe mandej të jetë gati nga shtatori si udhëzim administrativ në të cilin mund të deklarohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve”, tha sot Krasniqi, gjatë përurimit të një salle sportive në një fshat të Lipjanit.
Ministri Krasniqi, që nga 29 maji, ka vizituar disa herë kryetarët në objektet komunale të komunave veriore. Vizitat e tij nën masa të shtuara të sigurisë janë realizuar edhe kur para këtyre ndërtesave kishte protestues serbë, që nuk pranonin këta kryetarë. Pas një vizite të tij më 16 qershor, pati tensionim të situatës para objektit komunal të Leposaviqit, ku ishin sulmuar disa ekipe të gazetarëve, që po raportonin nga atje. /Express/