Grushti i shtetit në Niger i kryer të mërkurën më 26 korrik nga garda presidenciale mund të ketë pasoja shumë të rëndësishme në të gjithë rajonin e Sahelit. Jo vetëm kaq, por janë në rrezik ekuilibra delikate ndërkombëtare që përfshijnë Perëndimin dhe Rusinë. Prandaj kudo po qarkullon “fantazma” e një konflikti të ri të armatosur që mund të përfshijë jo vetëm Nigerin, por të gjithë Afrikën Perëndimore. E gjitha në një kontekst ku Sahel është tashmë një nga zonat më të paqëndrueshme në planet sot, ku varfëria, terrorizmi islamist dhe organizatat kriminale po marrin përfundimisht pustetin.
Grushti i shtetit
Nigeri u trondit nga një grusht shteti, i pesti që kur vendi fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960. Sipas njoftimeve të ushtrisë gjenerali Omar Abdurahman Çiani, i cili luajti një rol kryesor gjatë grushtit të shtetit, u shpall kreu i ri i Nigerit. Omar Abdurahman Çiani u prezantua në televizionin shtetëror si mbajtës i funksionit të presidentit të këshillit kalimtar, që mori pushtetin pas grushtit të shtetit.Duket se nuk ka dyshim se arkitekti kryesor i grushtit të shtetit është vetë Çiani. Në orët e para të aksionit kundër Bazoum, lajmet lokale raportuan intolerancën e tij personale ndaj kreut të shtetit. Megjithatë, ai nuk veproi i vetëm. Anëtarë të departamenteve të ndryshme të ushtrisë vepruan me të, ndërsa një ditë pas arrestimit të Presidentit Bazoum ishte vetë shefi i shtabit të ushtrisë nigeriane, Abdou Sidikou Issa, që mbështeti aksionin e promovuar nga garda presidenciale. Prandaj, grushti i shtetit mori favorin e të gjithë kuadrit të ushtrisë së Nigerit, një rrethanë që doli të ishte vendimtare për suksesin e tij.
Shqetësimi i Perëndimit
Perëndimi ka dhënë “dritën jeshile” për praninë e kontingjenteve të ndryshme të huaja në territorin nigerian. Përveç ushtrisë franceze, këtu janë vendosur edhe ushtarë amerikanë, gjermanë, italianë dhe kanadezë. Arsyeja është për shkak të pozicionit strategjik të Nigerit në Sahel. Qeveritë perëndimore kanë nisur operacione që synojnë trajnimin e forcave lokale për të kundërshtuar shfaqjen e grupeve xhihadiste, kontrabandistëve ndërkombëtarë dhe grupeve kriminale që shfrytëzojnë trafikimin e qenieve njerëzore.Nigeri është gjithashtu një territor i pasur me lëndë të para, duke filluar me uraniumin, i cili shfrytëzohet kryesisht nga Franca. Mirëpo, ndryshimi i pushtetit e sjell politikën e vendit më larg Perëndimit dhe më afër Rusisë.
Konflikti i ri
Pikërisht në dritën e ndikimit në rritje të Moskës në Sahel, grushti i shtetit në Niger mund ta bëjë rajonin skenën e një përplasjeje të re midis interesave perëndimore dhe ruse. Franca, si dhe SHBA-ja dhe BE-ja, nuk do të mirëprisnin një përpjekje nga junta e re ushtarake për të imituar politikat e kryera në Mali dhe Burkina Faso. Rreziku do të ishte ai i një tërheqjeje shumë të rrezikshme në të gjithë Sahelin, me spektrin e humbjes së mëtejshme të terrenit në të gjithë Afrikën Perëndimore. Sakaq, publiku në Niger, si dhe në vendet fqinje, gjithnjë e më shumë e konsideron Rusinë si alternativën kryesore për t’u çliruar nga ndikimi perëndimor. Madje, siç shkruan “Liberi Quotidiano”, Moska besohet të jetë prapa grushtit të shtetit. Kjo u raportua nga kreu i zyrës së Ukrainës, Mykhailo Podolyak. Sipas Podolyak “mbështetja e përfaqësuesve pro-rusë për rebelët në Mali dhe Burkina Faso vetëm sa rrit besimin se Rusia ka një plan për të shkaktuar destabilitet dhe për të minuar rendin global të sigurisë”.
Skenaret
Tani, më shumë se kurrë pritet një luftë e brendshme në rajonin e Sahelit dhe Afrikën Perëndimore. Sakaq, kreu i juntës ushtarake ka ndërmarrë hapa për të pezulluar eksportin e uraniumit në Francë, duke konfirmuar qëndrimin e tij kundër Parisit. Prandaj, skenari më i zymtë ka të bëjë me një luftë midis dy koalicioneve të shteteve afrikane: atyre properëndimore në njërën anë dhe atyre pro-Moskës, pra Mali, Burkina Faso dhe Nigeri nga ana tjetër. Megjithatë, duket se brenda pallatit presidencial mund të arrihet një marrëveshjeje që ruan interesat e aktorëve të ndryshëm të brendshëm dhe ndërkombëtarë.