Që kur u betuan në nëntor të vitit të kaluar, dhjetë deputetët e rinj serbë kanë marrë pjesë vetëm edhe në një seancë tjetër në muajin prill. Mungesa e deputetëve në gjashtë muaj sipas Kushtetutës rrezikon humbjen e mandatit të tyre. Kjo seancë i kushtoi buxhetit mbi 125 mijë euro.
Nëntë kandidatët nga Lista Serbe dhe një nga partia GI SPO që garuan në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, betimin si deputetë të Kuvendit të Kosovës e realizuan më 17 nëntor të vitit 2022.
Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor të vitit të kaluar.
Si pasojë e situatës politike të krijuar në vend, në nëntor të 2022-tës, kryetari i LS-së, Goran Rakiq asokohe kishte deklaruar se serbët do largoheshin nga të gjitha institucionet politike – Kuvendi, Qeveria dhe katër komunat, por edhe nga institucionet e drejtësisë, policia dhe administrata në Kosovë.
Pas betimit, deputetët serbë kanë marrë pjesë në një seancë më datën 6 prill 2023, pikërisht në kohën kur po i afrohej gjashtë mujorit të mospjesëmarrjes në Kuvend. Që nga prilli deri në fund të sesionit pranveror, Kuvendi ka mbajtur edhe 23 seanca tjera.
Sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.
Por, pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht ashtu si deputetëve të tjerë.
Sipas të dhënave nga Kuvendi i Kosovës, 10 deputetët, për këta muaj kanë marrë mbi 12 mijë euro pagë totale secili.
Ndonëse janë shfaqur vetëm një herë që nga betimi, pagat e tyre në total i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës, 125, 460 euro.