Një grua nga Kosova, F. Berisha dhe vajza e saj, R. Berisha, kanë shpëtuar nga mbytja në det, falë vigjilencës, zgjuarsisë, intervenimit të shpejtë dhe vetëmohues të oficerit të FSK-së, nënkolonel Bexhet Shala, ka njoftuar sot Ministria e Mbrojtjes.
Ngjarja ka ndodhur në një nga plazhet e qytetit të Shëngjinit në Shqipëri, ku Shala ishte për pushime me familjen tij.
“Në momentin kritik, nënkolonel Shala ka vërejtur lëvizje jonormale të dy personave që ishin në ujë, me një distancë prej rreth 70 metrash, ku ka konstatuar se ato po luftonin me jetën. Intervenimin pa mëdyshje për shpëtimin e dy personave, nënkolonel Shala e ka bërë falë shkathtësive dhe aftësive të tija personale dhe profesionalë, përvojës së tij gjatë luftës në Kosovë si dhe leksioneve të shumta për vigjilencën në situata të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në kohë paqe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, ka theksuar nënkolonel Bexhet Shala
Shala ka marrë falënderime të shumta nga familja Berisha, për veprën e tij humane, në shpëtimin e jetëve të të dy familjareve të tyre.
“Ushtarakët e FSK-së me besnikëri bartin betimin e tyre, në shërbim të popullit dhe atdheut, për mbrojtjen e tyre, duke mos kursyer as jetën!”.