Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një video në Facebook ka njoftuar se është duke realizuar një vizitë në Istog.
Osmani ka thënë se Istogu është ndër komunat më të bukura në Kosovë, derisa ka pohuar se sot ka një agjendë të ngjeshur, transmeton Telegrafi.
“Përshëndetje për të gjithë nga burimi i Istogut, një prej komunave më të bukura që ka Kosova. Po vazhdojmë me ciklin e vizitave nëpër komuna, ku sot do të kemi një agjendë të ngjeshur përkundër vapës së madhe. Por siç po e shihni bjeshkët e jashtëzakonshme dhe uji i burimit të Istogut krijojnë freski dhe i japin kësaj komune një bukuri të jashtëzakonshme”, thotë Osmani në video.
Presidentja ka theksuar se bukuritë natyrore duhet t’i promovojnë dhe t’i mbështesin. Ajo tutje ka shtuar se do të ketë takim me kryetarin e Istogut, me mërgimtarë dhe po ashtu do të ketë vizita në fshatra.