Një konflikt i çastit ka degraduar në dhunë fizike në Lezhë, ku i plagosur ka mbetur një 37-vjeçar nga Kosova.
Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot.
Kanë qenë dy punonjësit e karburantit, një 61-vjeçar dhe një 52-vjeçar që kanë dhunuar të riun, duke i shkaktuar plagë të rënga. Të dy autorët janë arrestuar, teksa 37-vjeçari ndodhet në spital.
Policia njofton se ‘në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, janë përfshirë në konflikt fizik dhe me mjete të forta, shtetasi kosovar M. M. 37 vjeç me dy shtetas shqiptarë ( punonjës te karburanti) N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.
Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar fizikisht shtetasi kosovar M. M. i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga patrulla e policisë, ndërsa shtetasit N. S. dhe K. R. janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë.
Gjithashtu, gjatë konfliktit, nga këta shtetas janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve dhe sqarimit të situatës, do të jepet një njoftim i dytë sqarues.