Aktivistët anti-islamikë në Danimarkë dhe Suedi kanë djegur dhe dëmtuar disa kopje të Kuranit në muajt e fundit, duke shkaktuar zemërim në botën myslimane dhe kërkojnë nga qeveritë nordike të ndalojnë akte të tilla.
Të dy qeveritë kanë dënuar djegiet dhe kanë thënë se po shqyrtojnë ligje të reja që mund t’i ndalojnë ato. Por kritikët vendas thonë se liria e fjalës dhe e shprehjes mbrohet në kushtetutat e tyre dhe çdo lëvizje për ndryshim do të minonte liritë e çmuara.
KUSH PO DJEG KURANIN DHE PSE?
Të paktën tre nga aksionet në Suedi gjatë muajit të kaluar janë udhëhequr nga Salwan Momika, një refugjat nga Iraku i cili thotë se dëshiron të protestojë kundër të gjithë institucionit të Islamit dhe të ndalojë librin e tij të shenjtë.
Rreth kohës së protestave të tij, një grup aktivist i ekstremit të djathtë i quajtur Patriotët Danezë organizuan demonstrata anti-myslimane duke thënë se po mbajnë një qëndrim kundër asaj që e shohin si “islamizimi” i shoqërive nordike.
Të paktën dhjetë kopje të Kuranit janë djegur në Danimarkë gjatë javës së kaluar.
Aktivisti danezo-suedez i së djathtës ekstreme Rasmus Paludan, i cili ka qenë pas djegieve sporadike të Kuranit që nga viti 2017, ka kryer më shumë në të dy vendet këtë vit, duke thënë se është i zemëruar nga kundërshtimi i Turqisë ndaj kërkesës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.
Djegia e qëllimshme e Kuranit shihet nga muslimanët si një akt blasfemues dhe fyes, sepse ata e konsiderojnë librin e shenjtë islamik si fjalë të mirëfilltë të Zotit. Përdhosja e një Kurani shihet si një shkelje e rëndë që meriton dënim të ashpër.
Muslimanët e trajtojnë një Kuran të shtypur me nderim të madh. Në traditën muslimane, besimtari duhet të jetë në një gjendje të pastërtisë rituale përpara se ta prek atë. Kurani nuk duhet të vendoset në dysheme dhe asgjë nuk duhet të vendoset sipër tij.
Danimarka dhe Suedia janë ndër vendet më laike dhe liberale në botë, dhe prej kohësh kanë lejuar kritika të ashpra publike ndaj feve.
Politikanët në të gjithë spektrin politik të Danimarkës thonë se një ndalim i plotë do të komprometonte të drejtën e qytetarëve për lirinë e shprehjes, e përcaktuar me kushtetutë.
“Unë kurrë nuk do të digjja libra, por do të luftoj që njerëzit e tjerë të kenë të drejtën për ta bërë këtë,” tha për Reuters Susie Jessen, një ligjvënës për Partinë Demokratike Danimarke të krahut të djathtë.
ÇFARË PO BËJNË TANI SUEDIA DHE DANIMARKA?
Megjithatë, si Suedia ashtu edhe Danimarka thonë se po shqyrtojnë mënyrat për të kufizuar ligjërisht djegiet për të ulur tensionet me kombet myslimane.
Të dy shtetet tashmë janë përballur me një hakmarrje të konsiderueshme. Turmat e zemëruara sulmuan ambasadën e Suedisë në Bagdad në korrik. Ambasadorët e tyre janë thirrur për qortime dhe paralajmërime në të gjithë Lindjen e Mesme. Presidenti turk Tajip Erdogan ka thënë se do të punojë që aplikimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO të miratohet, por gjithashtu paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhë për sa kohë që kopjet e Kuranit do të digjen në Suedi.
ÇFARË MË TUTJE PËR LIGJIN NË DANIMARKË DHE SUEDI?
Qeveria daneze dhe suedeze thonë se liria e fjalës tashmë është e kufizuar në një farë mase – është e paligjshme të ofendosh dikë për përkatësinë e tij etnike ose orientimin seksual.
Por asnjë vend nuk ka legjislacion që mund të përdoret për të ndaluar djegien e Kuranit. Suedia hoqi ligjin e blasfemisë në 1970, Danimarka në 2017.
Në Suedi, policia duhet t’u lëshojë një leje protestuesve, por mund ta refuzojë një të tillë vetëm nëse rrezikohet siguria publike në vendin e protestës. Në Danimarkë, protestuesve u kërkohet vetëm të informojnë policinë që po demonstrojnë.
Qeveria suedeze po shqyrton nëse ligjet e saj për ruajtjen e rendit publik mund të modifikohen. Ajo ka përjashtuar mundësinë e bërjes së paligjshme të djegies së shkrimeve të shenjta.
Qeveria daneze tha të dielën se do të kërkojë të gjejë një “mjet ligjor” që mund t’u mundësojë autoriteteve të ndërhyjnë në protesta të tilla, nëse konsiderohet se sjell “pasoja të rëndësishme negative për Danimarkën, jo më pak në lidhje me sigurinë”. (Burimi: Reuters)