Laura Fazliu ka shkëlqyer në Mastersin e xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë.
Xhudistja kosovare arriti të stolisej me medaljen e artë në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Fazliu triumfoi me IPPON ndaj japonezes, Miku Takaichi në një duel që e dominoi vazhdimisht.
Në përgjithësi, Laura Fazliu pati paraqitje mjaft të mira. Ajo e nisi me fitore ndaj rumunes, Florentina Ivanescu në raundin e parë, ndërsa në të dytin e mundi izraeliten, Kerem Primo.
Në çerekfinale ajo triumfoi ndaj çekes, Renata Zachova, kurse në gjysmëfinale ishte më e mirë se xhudistja japoneze, Megumi Horikawa.
Sot garoi gjithashtu edhe Akil Gjakova, që u rendit i shtati në kategorinë e tij.
Në përgjithësi, ekipi kosovar i xhudos fitoi dy medalje nga ky turne. Dje, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Ndërsa, kampionia tjetër olimpikë, Nora Gjakova u ndal në raundin e dytë ne kategorinë deri në 57 kilogramë.