Disa kompani nga Serbia, të themeluara nga shtetas rusë, shërbejnë për të anashkaluar sanksionet e vendosura të BE-së dhe SHBA-s ndaj Rusisë dhe për të blerë komponentë që përdoren në prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, shkruan portali Rrjeti Ballkanik i Sigurisë.
Siç thuhet në këtë portal, Rusia përpiqet në çdo mënyrë t’i sigurojë industrisë së saj ushtarake komponentë të prodhimit të huaj, gjë që tashmë është problem për shkak të sanksioneve, ndaj i drejtohet dinakërisë dhe prokurimit përmes vendeve të treta, përfshirë edhe Serbinë, raporton N1.
“Mediat serbe njoftuan së fundmi se disa kompani të themeluara nga shtetas rusë shërbejnë për të anashkaluar sanksionet e BE-së dhe SHBA-së përmes prokurimit të mallrave të nevojshme për prodhimin ushtarak, përfshirë GoodForwarding d.o.o. nga Beogradi. Ato pretendime konfirmohen edhe nga të dhënat e disponueshme komerciale për tregtinë ndërkombëtare, në të cilat kishte qasje Rrjeti Ballkanik i Sigurisë”, shkruan portali, duke shtuar se bëhet fjalë për një kompani të regjistruar në Agjencinë e Regjistrave Tregtarë për tregtinë e pemëve dhe perimeve.
Teksti shton se kjo kompani është një “burim i rëndësishëm furnizimi” për Rusinë me mikroçipe dhe pllaka qarkore të prodhuesve të Lindjes së Largët dhe Perëndimore, të nevojshme për prodhimin e raketave, dronëve, armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Shtohet se të dhënat tregojnë se në fund të vitit të kaluar kompania kishte 42 transaksione me kompanitë nga Kina, SHBA, Tajvani, Japonia, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, Malajzia dhe Tajlanda, komponentët e të cilave më pas u eksportuan në Rusi.
Portali shton se aktivitete të tilla paraqesin shkelje të mundshme të një sërë sanksionesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare dhe se biznesi i kësaj natyre është në kundërshtim me politikën zyrtare të Serbisë.
“Edhe pse Beogradi nuk ka vendosur masa kufizuese kundër Rusisë, Qeveria e Serbisë ka thënë se nuk do të lejojë që ajo të jetë platformë për anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare”, thuhet në tekst.