Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për reduktimin edhe për 25 për qind të pranisë policore brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri.
Mirëpo, BE-ja thotë se nevojiten hapa të mëtejshëm në kuadër të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së, për RTV Dukagjinin.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka filluar iniciativën ligjore për largimin e kryetarëve të komunave veriore, që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Largimi i kryetarëve po pretendohet të bëhet përmes peticioneve.
Ndryshe, Grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ për largimin e kryetarëve të komunave verore ka mbajtur sot takimin e parë.
Kryesuesi i këtij grupi, Besim Myrtezani, tha për KP se në këtë takim është diskutuar drafti fillestar.
Ai bëri të ditur se takimi i radhës do të zhvillohet të mërkurën derisa shtoi se udhëzimi administrativ në tërësi do të jetë gati me 1 shtator.