Biden shpall zonën përreth Kanionit të Madh monument kombëtar

by

Një nga shtatë mrekullitë natyrore të botës, Kanioni i Madh, duke filluar nga e marta, do të jetë në listën e monumenteve kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Është ky vendimi i marrë nga Presidenti amerikan Joe Biden, që ofron një mbrojtje federale për një sipërfaqe prej rreth 405,000 hektarësh në shtetin e Arizonës, që njihet si fushëbetejë elektorale.

banner

Presidenti Biden ka deklaruar se ruajtja e tokave të Kanionit të Madh është e mirë jo vetëm për Arizonën, por për të gjithë planetin.

 “Ruajtja e këtyre tokave është e mirë, jo vetëm për Arizonën, por për planetin. Është mirë për ekonominë dhe shpirtin e vendit”, tha Presidenti Biden.

Fiset në Arizona i kanë kërkuar presidentit që të ushtrojë autoritetin e tij në bazë të Ligjit të Antikiteteve të vitit 1906 për të krijuar një monument të ri kombëtar të quajtur “Baaj Nëaavjo I’tah Kukveni”.

“Baaj Nwaavjo” do të thotë “ku enden fiset”, sipas gjuhës së popullatës Havasupai, ndërsa “I’tah Kukveni” përkthehet në “gjurmët tona”, sipas gjuhës së folur nga fisi Hopi.

Presidenti Biden tha se vendimi kërkon që qeveria federale të përmbushë detyrimet e saj në bazë të traktatit me fiset indigjene amerikane.

Plani ekonomik

Presidenti amerikan po zhvillon një turne për të nxitur planin e tij për ekonominë. Gjatë këtij turneu, Biden e lidhi vendimin për Kanionin e Madh, me përpjekjet e administratës së tij për të luftuar ndryshimet klimatike, ndërsa vuri në dukje temperaturat ekstreme të kësaj vere. Ai tha se nxehtësia ekstreme ishte përgjegjëse për më shumë vdekje sesa fatkeqësitë e tjera natyrore si përmbytjet dhe uraganet, por shtoi, se asnjë nga këto nuk duhet të jetë e pashmangshme, raporton VOA.

Presidenti Biden kritikoi gjithashtu mbështetësit e lëvizjes “Make America Great Again” të ish-presidentit Donald Trump për kundërvënien ndaj përpjekjeve për të promovuar energjinë e gjelbër dhe për të zgjeruar mbrojtjen federale për mjedisin.

Ligjvënës republikanë dhe industria e minierave të uraniumit që operon në zonë e kishin kundërshtuar përcaktimin e zonës si monument kombëtar, duke argumentuar përfitimet ekonomike për rajonin dhe se industria minerale është çështje e sigurisë kombëtare.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy