Për shkak të keqpërdorimeve të shumta, por edhe shfrytëzimi në mënyrë të paautorizuar të ujit të pijes, ka pasur mungesë të ujit në disa lokacione, ka thënë kryeshefi i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, në KTV.
Fetahu ka theksuar se kompania e ujësjellësit është detyruar të ndërmarrë aksione për shkyçjen e konsumatorëve që nuk paguajnë dhe ata që kanë pasur kyçje ilegale.
Ai ka treguar se kanë targetuar në vazhdimësi keqpërdoruesit e ujit të pijshëm, ndërsa ka shtuar se borxhi i tyre është mijëra eurosh.
“Janë targetuar 10 konsumatorë në Fushë Kosovë për nesër, nëse ata nuk e paguajnë pjesën e borxhit automatikisht do të shkyçen. Kryesisht biznese. Borxhi tyre varion mijëra eurosh. Gjatë muajit korrik në pjesën e Prishtinës janë bërë mbi 100 shkyçje, 51 që kanë qenë të kyçur ilegalisht dhe 55 janë shkyçur për shkak të borxheve”, ka thënë ai.
Fetahu ka treguar se borxhi aktual i konsumatorëve në KRU “Prishtina” është rreth 45 milionë euro.
“Është rreth 45 milionë euro, është i grumbulluar që nga paslufta. Më shumë ka amvisëria, por borxhet janë të dekadave të kaluara. Ka rritje të vetëdijesimit”.
Ai i vlerësoi tepër shqetësuese kyçjet ilegale me shkallën e lartë të keqpërdorimit të ujit të pijshëm.
“Janë jashtëzakonisht shqetësuese, është e pabesueshme në çfarë shkalle ka qenë keqpërdorimi dhe është ende keqpërdorimi i ujit të pijshëm. E keqpërdorin edhe amvisëritë, por edhe bizneset”.
Fetahu ka folur edhe për faturimin “paushall” që u bëhet disa zonave që furnizohen nga ujësjellësi i Prishtinës. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta lajmërojnë kompaninë për raste të tilla ashtu që të veprojë.