Nisë fushëbeteja e re për shamitë në Iran

by informim
Autoritetet kanë dërguar mesazhe telefonike te gratë që janë parë pa shami në automjetet e tyre: Më shumë se 1 milion mesazhe janë dërguar. Ndërkohë, 2 mijë automjete janë konfiskuar, ndërkaq 4 mijë gra do të dalin para drejtësisë.

Për muajt të tërë, autoritetet iraniane kanë bërë pak për të ushtruar ligjin kundër grave që mbulojnë flokët, mirëpo tani teokracia e shtetit po bën përpjekje që bizneset të jenë fushëbeteja e re për mbajtjen e shamisë.

Shtrëngimi i ligjit po bëhet në njëvjetorin e protestave masive që shpërthyen pas vrasjes së Mahsa Aminit në paraburgim, pasi ishte arrestuar nga policia e moralit për mbajtjen e parregullt të shamisë. Pasoi aksioni i madh i forcave të sigurisë, në të cilin u vranë 530 persona dhe u arrestuan 22 mijë të tjerë.

Këtyre ditëve, gruaja pa shami është pamje e zakonshme në rrugët e Teheranit, mirëpo autoritetet kanë nisur të bastisin bizneset, në të cilat punëtoret ose klientët shihen pa shami ose hixhab. Parlamenti i Iranit është duke diskutuar rreth ligjit që do të ashpërsonte ndëshkimet ndaj grave pa shami dhe bizneseve që frekuentojnë ato.

Zhvillimet mund të nxisin trazirat e reja teksa po afrohen zgjedhjet parlamentare dhe ekonomia e shtetit po dështon t’i përballojë sanksionet e mëdha ndërkombëtare në lidhje me programin bërthamor të Iranit.

“Nëse përballem me gjobë dhe ndëshkim, do të mbaj shaminë, sepse jam në pozitë të lartë”, thotë Parvaneh, doktoresha që trajtoi protestuesit e vitit të kaluar. Si shumë gra të tjera, me të cilat ka folur agjencia e lajmeve “Associated Press”, asaj i është kërkuar që të tregojë vetëm emrin për shkak të sigurisë.

“Mirëpo të rinjtë që i kam mjekuar unë gjatë protestave nuk do të tërhiqen”, ka shtuar ajo.

Shamia e shenjtë

Për gratë myslimane, mbulesa e kokës është shenjë e devotshmërisë para Zotit dhe modestisë para burrave jashtë familjeve të tyre. Në Iran, hixhabi dhe të gjitha veshjet me ngjyrë të zezë, për një kohë të gjatë kanë simbol politik, sidomos pasi janë bërë të obligueshme në vitet që pasuan Revolucionin Islamik të vitit 1979.

Pas vdekjes së Aminit, policia ka hezituar të zbatojë ligjin e shamisë, me gjasë që të shmangë protestat e reja dhe të shfaqë bindje. Por në javët e fundit, ky ton ka ndryshuar.

“Po ju them se mungesa e hixhabit do t’i japë fund asaj”, ka thënë presidenti iranian, Ebrahim Raisi.

Autoritetet kanë dërguar mesazhe telefonike te gratë që janë parë pa shami në automjetet e tyre: Më shumë se 1 milion mesazhe janë dërguar. Ndërkohë, 2 mijë automjete janë konfiskuar, ndërkaq 4 mijë gra do të dalin para drejtësisë.

Forcat e sigurisë pastaj ua kanë mësyrë rrjeteve sociale për të parë fotografitë e kompanive, në të cilat gratë ishin pa shami në vendet e tyre të punës. Një prej zyrave të Digikala, kompani e shitjeve online me më shumë se 40 milionë përdorues në muaj, është mbyllur. Përkohësisht është mbyllur edhe libraria Taghcheh.

Përndjekja është zgjeruar përtej Teheranit. Në veri të qytetit Lahaijan, spitalet janë urdhëruar që të mos ofrojnë shërbime për gratë që nuk mbajnë shami. Në Damavand, qytet 60 kilometra në lindje të Teheranit, prokurorët kanë arrestuar dy punonjëse të bankës që nuk mbanin shami.

Qëndrimi në ambientet e jashtme të kafeneve është ndaluar në verilindje të qytetit Mashahad, ndërkaq më konservatorët në Isfahan dëshirojnë të ndalojnë punën në ambientin e përbashkët të burrave dhe grave.

Nën mbikëqyrje është edhe industria e argëtimit. Policia ka kërcënuar me ndalim të prodhimit të filmave nëse gratë prapa kamerave nuk kanë shami.

Gjykata gjithashtu ka dënuar të famshmet që nuk kanë mbajtur shaminë.

Ligji i ashpër

Ligji që pritet të miratohet në Parlamentin e Iranit gjobat për gratë do t’i bëjë edhe më të rënda. Ligji kërkon gjobitjen e grave dhe dënim me burgim nëse nuk mbajnë shaminë. Ligji bën thirrje edhe për ndarjen mes gjinive në shkolla, parqe, spitale dhe hapësira të tjera.

Gjithashtu do të vendosen gjoba ndaj bizneseve me punëtore dhe kliente që nuk mbajnë shami. Ndërkaq të famshmeve mund t’u ndalohet largimi nga shteti nëse nuk mbajnë shami.

Ligji u jep edhe më shumë pushtet agjencive të inteligjencës dhe Basij – forcës paramilitare, të cilat kanë shtypur protestat. Tani këto forca mund të konfrontojnë gratë pa shami.

Iranianët konservatorë për një kohë të gjatë kanë kërkuar që forcat Basij të përfshihen në betejën për shamitë. Pas xhumasë në Teheran, shumë besimtarë kanë bërtitur: “Roja, ju lutem ejani dhe jepini fund heqjes së shamive”.

“Kështu urdhëron islami”, ka thënë Rahele Kargarnejad, 29-vjeçare, mbështetëse e madhe e mbajtjes së shamisë. Mirëpo kritikët kanë thënë se ligji i propozuar do të shkaktojë probleme.

Ezzeatollah Zarghami, ish-komandant i linjës së ashpër të Gardës Revolucionare dhe ministër aktual për trashëgiminë kulturore, paralajmëroi se dënimet e ashpra si puna e detyrueshme në morg “do të shkaktojnë më shumë probleme dhe të rëndësishme në vend që të zgjidhin problemin e hixhabit”.

Gjykata e Lartë e Iranit rrëzoi vendimin e një gjykate më të ulët për sekuestrimin e makinës së një gruaje të pambuluar për një vit dhe heqjen e patentës së saj, duke krijuar precedent.

Edhe nëse miratohet ligji, avokati i shquar Mahmoud Alizadeh Tabatabei e përshkroi projektligjin si të pakuptimtë, pasi “shumica e grave nuk besojnë në të”.

“Gratë do ta marrin vesh se ligji nuk është i zbatueshëm”, ka thënë Tabatabaei.

Ndërkohë, politikanët e njohur në Iran si reformistë e kanë shfrytëzuar mosmarrëveshjen për hixhabin, ndërsa kërkojnë të ndryshojnë teokracinë e Iranit nga brenda sistemit. Ish-presidenti Mohammad Khatami, një nga reformistët më të shquar të vendit, ka vënë në dyshim nëse zbatimi i hixhabit ishte “i mençur dhe produktiv”.

Me linjat e forta që dominojnë parlamentin dhe zgjedhjet që vijnë në mars, hixhabi mund të bëhet temë e diskutueshme përpara zgjedhjeve.

Por komentet kundër hixhabit mund të mos jenë të mjaftueshme pasi reformistët kanë parë që popullariteti i tyre të bjerë pas rënies së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 nën presidentin e atëhershëm, Hassan Rouhani, i konsideruar gjithashtu i moderuar.

Në rrugë, shumë gra dhe vajza iraniane ende heqin dorë nga shamia, pavarësisht pasojave të mundshme.

“Pasi dëgjova për ligjin, mora vendimin tim – do të shkoj në shkollën time me hixhab të plotë, por i inkurajoj nxënësit e mi ta heqin atë sa herë që të jetë e mundur”, ka thënë Mojgan, mësuese e shkollës së mesme.

“Nxënësit e mi tashmë janë shumë para meje me këto veprime”, ka shtuar ajo.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy