Punëtorët e sigurimit fizik në KEK kanë protestuar të mërkurën për shkak të mospërmbushjes së premtimeve nga pushteti.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka theksuar se nëse kërkesat e punëtorëve nuk plotësohen, ata do të vazhdojnë të ngrenë zërin.
Ai ka thënë se punëtori në KEK paguhet me një pagë që është simbolike në krahasim me punën që e bën.
Ndërkohë, Llumnica ka deklaruar se prej vitit 2010 nga Vetëvendosja u ishin premtuar kushte më të mira.
“Shoqata sindikale e sigurimit fizik në KEK ka bërë kërkesa në vazhdimësi. Mirëpo gjithherë është gjetë një arsye sot ose nesër, por kohët e fundit nuk është marrë me sindikalistë. Është premtuar në vazhdimësi, mos të ishim premtuar edhe nuk kishim besuar shumë”.
“Që nga viti 2010 sa herë që ka ra tema (me VV-në) për sigurimin fizik në KEK është thënë se keni të drejtë, por sot nëse e realizojnë këtë qëllim ne jemi në rregull. Po e realizojnë një të drejtë të punëtorëve që e kanë që moti”, ka thënë ai
Llumnica ka treguar se ende nuk ka punësime të reja, ndërsa ngreh shqetësimin se shpejt mund të mos ketë as konkurrencë për shkak të daljes masive të të rinjve jashtë vendit.
“Ende nuk është pranuar askush në KEK dhe ende vazhdon të jetë krizë në KEK. Ka rrezik të hapen konkurse dhe të mos ketë konkurrencë, sepse po shohim që po ikin nga vendi kurse në KEK janë rreth 2000 punëtorë mungesë”.
Ai ka deklaruar se në të gjithë sektorët ka nevojë për punëtorë shtesë, e më së shumti në prodhim, mirëmbajtje e elektrikë.
“Na kanë premtuar se do të ketë rritje të pagave, nëse nuk ndodh do të vazhdojmë me protesta, greva dhe të gjitha mjetet sindikale. Punëtorët e KEK-ut kanë rrezikshmëri të madhe, ku 1% e stafit çdo vit pothuajse vdesin, që dyshojmë se i marrin sëmundjet gjatë procesit të punës”.