Problemet me të cilat përballen vendet e Ballkanit, presin të marrin zgjidhje me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ashtu si në rastin e dialogut Kosovë – Serbi.
Megjithatë, angazhimi i politikës amerikane në vazhdimësi ka orientuar rrjedhën e proceseve në vendet e Ballkanit.
Njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Fatos Lubonja, konsideron se qëndrimi amerikan për rajonin, do të varet nga ecuria e zhvillimeve në Ukrainë.
“Ne jemi faktor sekondar në politikat amerikane, nuk jemi faktor primar. Faktor primar është lufta në Ukrainë dhe situata se si do të zhvillohet lufta në Ukrainë, pra edhe qëndrimet amerikane qoftë ndaj Vuciqit, qoftë edhe ndaj Ballkanit, do të varen shumë nga ajo se si do të shkojë kjo luftë, a do të ndryshoj qëndrim apo jo”, ka thënë Lubonja për Tëvë1.
Pavarësisht politikës së presidentit serb Vuciq, Lubonja thotë se nuk pret që Bashkimi Evropian do ta ndëshkoi atë.
“Perëndimi e konsideron Serbinë një aktor të rëndësishëm, nuk kërkon një destabilizim në Ballkan që mund ta bëjë Vuciqi dhe jo Kosova, mundet që t’i jap karrotën Vuciqit, mos t’ia japi shkopin si me thënë … Duke pasur parasysh peshën që ka Serbia, lobingjet e fuqishme që ka vënë në veprim Serbia edhe në SHBA, nuk mundet të shpresojmë a mendojmë me një lloj naiviteti që po Evropa, do ta dënoi Vuciqin sepse ai është me Rusinë”, ka thënë ai.
Dhjetëra ligjvënës evropian dhe amerikanë, kanë kërkuar që politika ndërkombëtare të ketë një diplomaci parandaluese në Ballkan, pikërisht për shkak të qasjes së Serbisë.