Polonia po planifikon t’i dërgojë rreth 10,000 trupa në kufirin me Bjellorusinë për t’i mbështetur rojet kufitare, tha ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak.
Në një intervistë në Radion Kombëtare Polake, Blaszczak tha se derisa 10,000 ushtarë do të jenë në kufi, katër mijë do të mbështesin drejtpërdrejt rojet kufitare dhe 6,000 të mbetur do të jenë në rezervë.
“Shkelja e hapësirës polake nga helikopterët bjellorusë nuk mund të nënvlerësohet për shkak të qasjes bjelloruse”, tha Blaszczak në radio, duke shtuar se ky ishte një tjetër provokim.
“Gjithçka që po ndodh në Bjellorusi është e koordinuar me veprimet e Rusisë”, tha Blaszczak.
Tensionet janë rritur në kufirin Bjellorusi-Poloni që kur një numër luftëtarësh të Wagnerit u vendosën në Bjellorusi pas pasojave nga rebelimi i ndërprerë i Yevgeny Prigozhin në qershor.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë njoftoi muajin e kaluar se forcat e saj do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake me luftëtarët e Wagnerit pranë kufirit me Poloninë, e cila është anëtare e NATO-s.
Javën e kaluar, Polonia akuzoi Bjellorusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore, pasi dy helikopterë bjellorusë dyshohet se kaluan në territorin polak gjatë stërvitjeve. Ministria bjelloruse e mbrojtjes mohoi akuzat.