Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, dëshmitari i 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, është duke dëshmuar për Zonën e Llapushnikut, komandant kryesor i të cilës zonë tha se ishte Fatmir Limaj.
Paraprakisht, përmes paraqitjes së një fotografie, dëshmitari identifikoi se numri 2 i duket si objekti i Shtabit të Zonës së Llapushnikut kurse nga këndi i fotografisë së dytë tha se nuk e ka të qartë nëse ishte ajo ndërtesa e Shtabit të kësaj zone, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më tej, me paraqitjen e një videoje ku ishin disa ushtarë të UÇK-së që sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ishte ceremoni e betimit, dëshmitari identifikoi se ishin të pranishëm Musë Jashari, Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari.
Por, kjo video nuk u pranua si provë pasi sipas gjykatës nuk ka lidhje me këtë dëshmitar, duke thënë se video është e pavlerë.
Tutje, u diskutua për komunikimin e urdhrave, e që dëshmitari tha se ka pasur rregulla por beson se nuk janë zbatuar tërësisht dhe kryesisht rregullat iu janë thënë gojarisht dhe jo me shkrim.
Ai foli për zinxhirin komandues të zonës së Llapushnikut, ku tha se Fatmir Limaj ishte komandanti kryesor, më tej përmendi komandantin tjetër Isak Musliu dhe zëvendësit e tij, Shefqet Buçi dhe Ymer Alishani.
Ai tha se urdhrat komunikoheshin përmes komandës dhe se secili raportonte tek eprori i tij.
Ndërkaq, i pyetur lidhur me një dokument në të cilën thuhet se UÇK-ja dhe populli shqiptar po goditen prapa shpinës me elemente kolaboracioniste, dëshmitari tha se nuk e kishte parë këtë dokument gjatë luftës por që kur kishin shkuar në Llapushnik ishte ndjerë njëfarë presioni se pse njerëzit e LDK-së janë kyçur në UÇK.
Kur u pyet se a thuhej nga ushtarët e UÇK-së se LDK ishte armik, ai tha se kishte dëgjuar se është thënë se janë njerëz të pabesueshëm apo nuk duhet t’i pranojnë.
Por që për të mësuar bazën e informacioneve për përgjigjet e dhëna të dëshmitarit, është kaluar në seancë private.
Po ashtu, disa nga përgjigjet e dëshmitarit kanë qenë të pamundura të dëgjohen.