Sulmi ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi, gjykata merr vendim për të dyshuarin

by informim

Të premtën kur po mbahej një protestë si shenjë pakënaqësie ndaj një performance në “DokuFest” është sulmuar gazetari i Gazetës Nacionale Vullnet Krasniqi dhe kameramani. Për këtë rast policia arrestoi personin e dyshuar A.K., dhe i njëjti u ndalua për 48 orë. Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, e ka konfirmuar se A.K., i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Zëdhënësi Lekaj tha se të pandehurit do t’i llogaritet masa e paraburgimit prej kohës së arrestimit 11.08.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 11.09.2023, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

banner

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

“I pandehuri A.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrat e tij zyrtare – të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K., e shtyen me dorë duke e sulmuar, pastaj, i dëmtuari V.K., vazhdon ti intervistojë protestuesit të tjerë të pranishëm ku has në rezistencë, të të pranishmëve, dhe persona të tjerë e sulmojnë fizikisht gazetarin me të cilat veprime tek i njëjti shkaktojnë shqetësim”, tha Lekaj

I njëjti shtoi se me rastin e caktimit të paraburgimit, “Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual, si rezultat i të kësaj caktimi i paraburgimit për të pandehurin është i nevojshëm, dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit”.

Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, u shpreh zëdhënësi Lekaj.

Për këtë ngjarje policia ka njoftuar edhe për suspendimin e një zyrtari policor në Prizren, me gradën rreshter, për siç ka thënë policia sepse nuk ka reaguar në menyrë profesionale me rastin e sulmit ndaj gazetarit.

Rreshteri është suspenduar për 72 orë.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve  gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimit dhe me sugjerimin nga IPK, me qëllimi të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një Rreshter Policor nga Stacioni Policor Prizren”, ka njoftuar PK.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy