Takimi lamtumirës për Mehajn, Kurti: Me insistimin e tij pagat në FSK u rritën për 30%

by informim

Kryeministri Albin Kurti, mbrëmjen e së hënës në “Ballkonin e Hapur”, ka organizuar pritjen lamtumirës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.

Në këtë pritje, Kurti përmes një fjale rasti vlerësoi se prej se u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi, thuhet në komunikatën për media. 

banner

“Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, tha kryeministri derisa shtoi se “buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot”.

Sipas tij, “me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur”.

Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, Kurti tha se ish-ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.

“Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë”, tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se “suksesi i ish-ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë”.

Kryeministri gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.

Në fund të fjalës së tij Kurti e ka falënderuar ish ministrin Mehaj me fjalët “Armend, në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit. Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e me zemër. Dhe kurrë se ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës së dashur të Kosovës. Faleminderit”./KP

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy