Në një paraqitje para medieve, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka bërë të ditur se procesi i rishikimit të teksteve shkollore ka nisur, me rekomandime të Institutit Pedagogjik dhe të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar se gjetjet e këtyre dy institucioneve janë shumë të rëndësishme.
Duke tentuar që ta ulë peshen e dështimit të furnizimit të shkollave me libra mësimor, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci fillimisht e vuri theksin te sfidat rreth furnizimit me tekste shkollore duke thënë se procesi ka qenë jo i drejtë. Me këtë rast ajo ka treguar se këtë vit shtëpitë botuese padrejtësisht e kanë rritur edhe çmimin e teksteve shkollore, porse e njëjta tha se janë duke punuar në këtë drejtim.
Duke folur për përgatitjet e vitit shkollor, duke lënë të kuptohet se sivjet nuk do të ketë furnizim me libra shkollor siq ka ndodhur në vitet e mëparshme, Nagavci ka njoftuar se sivjet do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave.
Nagavci, poashtu tha se së fundmi MASHT-i ka filluar rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës nga klasa e parë deri në të nëntën.
Duke folur për sfidën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, Nagavci tha se ka pasur raste të keqpërdorimeve dhe abuzimeve me to, për të cilat tha se i kanë adresuar si raste. Mes tjerash, ajo e përmendi një rast kur brenda një viti shkollor një tekst ishte shitur me një çmim prej 3 eurosh e vitin pasues mbi 12 euro.
Nagavci ka treguar edhe mënyrën e aplikimit për rimbursimin e mjeteve që duhet të kryejnë prindërit. Po ashtu tha se së fundmi nga shtëpitë botuese është paralajmëruar edhe kallëzim penal, porse sipas saj, një gjë e tillë është e pabazë.
Ajo tha se rastet e tilla që kanë hasur tek shtëpitë botuese, i kanë adresuar tek organet kompetente, mirëpo deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
E pyetur si do të zhvillohet mësimi në veri të vendit, Nagavci tha se mësimi pritet të fillojë nga 1 shtatori në të gjitha shkollat e vendit. E njëjta shtoi se MAShT është i gatshëm për mbështetje në secilën shkollë.