Në çdo fshat nga një xhami !

by Nexhat

Shkruan: Lum BEQIRI

Para disa ditëve më ra me udhtu Kumanovë – Gjilan nëpër rrugën e re që është hapur e që kalon nëpër Malësinë e Karadakut. Sot Malësia e Karadakut është e ndarë në tre shtete të kohës sonë, dmth i takon Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ajo se çfarë më la përshtypje ishte se gati në çdo fshat ishte ndërtuar nga një xhami. Aspak nuk do më linte pështypje nëse nuk bëhej fjalë për një regjion koxha rezistent ndaj osmanëve për shekuj të tërë, e posaçërisht rezistent ndaj procesit të islamizimit që ndodhte në shekujt 18 e 19.

banner

Kronologjikisht, shumica e Malësisë së Karadakut nuk është islamizuar në shekujt 18 e 19, kur ishte islamizimi më masiv ndër shqiptarët në Perandorinë Osmane. Madje edhe regjistrime të ndryshme të popullatës (turke, serbe e bullgare) në fillim të shekullit 20, aty hasin shumicë të popullatës shqiptare katolike. Dmth, malësorët e Karadakut janë islamizuar pas rënies së Perandorisë Osmane dhe kjo zakonisht ka ndodhur si pasojë e shpërnguljeve të shumicës së malësorëve në Kumanovë, Gjilan, Preshevë, apo vende tjera. Konvertimi në fenë islam gjithmonë ka qenë sipërfaqësisht, sa për të mundur të lidhin martesa me shqiptarët e qyteteve të lartpërmendura dhe fshatrave fushor, që shumica tashmë ishin islamizuar.

Kjo dukuri e islamizimit të vonshëm të malësorëve të Karadakut, si dhe islamizimit vetëm të sipërfaqsishëm, nuk është se është ndonjë sekret publik. Paragjykimet kolektive të shqiptarëve të Kumanovës ndaj malësorëve gjithmonë janë shfaqur duke i etiketuar me termin ofendues “llatin”, që përdoret ditë e sot. Vjen prej kohës osmane, ku popullata ndahej në bazë të religjionit, dhe katolikët bënin pjesë tek latinët, për dallim nga muslimanët ku bënin pjesë tek turqit. Ditë e sot, plot shqiptarë të pjesave fushore e përdorin këtë term për malësorët dhe zakonisht u lidhet me paragjykime të caktuara, mes të cilave edhe se “ata nuk janë muslimanë ose nuk janë muslimanë të vërtetë”.

Edhe pse Malësia e Karadakut sot është pothuajse e zbrazët, pasi që të gjithë ata persona u shpërngulën përgjatë shekullit 20 në pjesat fushore dhe në qytetet e Kumanovës, Gjilanit e Preshevës, atje janë ndërtuar xhami të ndryshme në fshatra të ndryshëm. Nga njerëz që kanë prejardhje prej aty dhe që janë islamizuar në pjesat fushore.

Sot, shumë malsorë janë bërë më musliman se vetë turqit. E tërë shtypja kolektive që u ka ndodhur për shkak të identiteve religjioze, besoj që i ka detyruar shumicën prej tyre që të dëshmojnë veten se janë vërtetë musliman. Dhe është pak qesharake që sot kumanovarë e kumanovare me prejardhje nga Malësia e Karadakut (që besoj se përbëjnë ndoshta më shumë se gjysmën e popullatës shqiptare në Kumanovë) vijnë e më flasin për fenë islame, por nuk dëshirojnë të ma tregojnë emrin e babës së gjyshit të tyre.

Është me të vërtetë ironike, që pasardhësit e atyre që u sakrifikuan për mos të pranuar një fe tjetër, sot janë predikuesit më të mëdhenj të asaj feje. Ironi e madhe që në këngët burimore me çifteli të Karadakut gjejmë vargje si “sa të jetë jeta nuk lus Bajram”. Ironi e madhe që ndoshta edhe gjysh/e e babë e nanë i kanë të pagëzuar nëpër kisha katolike në Malësi. Për këtë flasin burimet e shumë motrave françeskane që shërbenin në Karadak edhe gjatë socializmit jugosllav dhe çuditeshin se pse muslimanë nga Kumanova e Gjilani e Presheva po vijnë të pagëzojnë fëmijët e tyre tek ata ose kërkonin sakramente të ndryshme fetare. Çudi e madhe që priftërinjët katolik të Ferizajit e të Malësisë deri para ca viteve shëtisnin (pa uniformë fetare) nëpër plot shtëpi kumanovare, e që për besë të Zotit, gjitha ishin familje me prejardhje nga Malësia.

Kështu që, xhamitë e reja tepër të bukura nëpër Malësi, por na bari nuk hajmë. Edhe më e bukur historia, arkivet, traditat gojore, si dhe burimet e ndryshme për Malësinë e Karadakut. Po ashtu edhe kishat katolike si dhe toponimet e vendeve në secilin fshat që nuk ka kishë – kisha e vjetër/re, etj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës “Informim.net “

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy