Pronarja e një dyqani amerikan, Laura Ann Carleton, u qëllua për vdekje nga një burrë për ngritjen e një flamuri krenarie ylberi jashtë dyqanit të saj në Kaliforni, si pasojë e një mosmarrëveshjeje mbi ideologjinë LGBTQ.
Carleton u gjet të premten me një plagë plumbi në dyqanin e saj Mag Pi në Cedar Glen, Kaliforni.
Një i dyshuar – i cili u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë – u vra nga policia kur u gjet aty pranë, dyshohet se ishte ende i armatosur.
Regjisori i Hollivudit, Paul Feig, e përshkroi Carleton si një “mike të mrekullueshme” në një postim në rrjetet sociale që tregonte foton e të dyve së bashku. Feig, i njohur për punën e tij në serialin televiziv Freaks and Geeks dhe filma të tillë si Bridesmaids, tha se shoqja e tij ishte qëlluar pasi u përball me një të dyshuar që rrëzoi flamurin.
Në një postim në Instagram, ai tha se ishte “i shkatërruar” për familjen e Carleton dhe komunitetin LGBTQ+, “për të cilin Lauri ishte një aleate e vërtetë”.

“Kjo intolerancë duhet të ndalet”, ka shkruar ai. “Kushdo që përdor gjuhë urrejtjeje kundër komunitetit LGBTQ+ duhet të kuptojë se fjalët e tyre kanë rëndësi, se fjalët e tyre mund të frymëzojnë dhunë kundër njerëzve të dashur dhe të pafajshëm.”
Grupi lokal i Lake Arrowhead LGBT tha se incidenti shënoi një “ditë shumë të trishtuar” për zonën dhe se zonja Carleton, “mikja dhe mbështetësja e tyre”, do të “na mungojë me të vërtetë”. Ajo u vra duke mbrojtur flamujt e saj LGBTQ+ Pride para dyqanit të saj, shkruante grupi në Instagram, raportoi CNN.
“Lauri nuk është identifikuar si LGBTQ+, por e ka kaluar kohën e saj duke ndihmuar dhe mbrojtur të gjithë në komunitet”.