Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, planifikon të dorëzohet më 24 gusht në Atlanta lidhur me padinë që i është ngritur në Xhorxhia me akuzat se ai tentoi të përmbyste humbjen e tij në Xhorxhia në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Këtë e ka bërë të ditur vetë Trump në rrjetin e tij social më 21 gusht.
“Unë do të shkoj në Atlanta të Xhorxhias të enjten për t’u arrestuar”, tha Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump – i cili po garon për t’u zgjedhur sërish president i SHBA-së në vitin 2024 – e përshkroi padinë si përpjekje të motivuar politikisht për ta dëmtuar fushatën e tij zgjedhore.
Mediumi amerikan CNN ka raportuar më parë se Trump planifikon të dorëzohet në stacionin policor të Fultonit në Atlanta. Data e 24 gushtit u caktua gjatë negociatave midis avokatëve të Trumpit dhe zyrës së prokurorit të Fultonit më 21 gusht, sipas CNN.
Në një aktakuzë prej 98 faqesh, të zbuluar javën e kaluar, Trump dhe 18 të pandehur të tjerë u akuzuan me gjithsej 41 akuza penale në lidhje me përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia në vitin 2020 – kur Trump humbi garën kundër presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden.
John Eastman, ish-avokati personal i Trumpit, i cili gjithashtu është paditur në rastin e Xhorxhias, planifikon të dorëzohet tek autoritetet në Fulton më 23 gusht, sipas një dosje gjyqësore të publikuar më 21 gusht.
Rasti i Xhorxhiast përbën aktakuzën e katërt të ngritur ndaj Trump. Ai përballet me një gjyq në Nju Jork lidhur me një pagesë të bërë ndaj një ylli të pornografisë dhe një gjyq në Florida për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara federale.
Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë.
Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Në Xhorxhia, Trump akuzohet se e ka shkelur “Aktin e Organizatave të Influencuara dhe të Korruptuara nga Raketuesit” (RICO). Dënimet e rënda që ndërlidhen me rastet RICO mund t’i nxisin të pandehurit të kërkojnë marrëveshje bashkëpunimi, dhe këto statute përdoren zakonisht si cak ndaj krimit të organizuar.
Sipas ligjit federal, kushdo që mund të jetë i lidhur me “një organizatë kriminale” përmes të cilës janë kryer shkelje, mund të dënohet na bazë të ligjit RICO.
Autoritetet në Atlanta nisën një hetim pasi Trumpi iu kishte telefonuar zyrtarëve në Xhorxhia disa javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, duke iu bërë presion për t’ia gjetur 11.780 votat e nevojshme për ta përmbysur fitoren e Bidenit në Xhorxhia.
Trump përballet me akuzat tashmë për konspiracion për ta mashtruar SHBA-në, pengimin e dëshmitarëve dhe konspiracion kundër të drejtave të qytetarëve.
Aktakuza ndaj tij u ngrit më 2 gusht, pas një hetimi ndaj ngjarjeve që ndodhën gjatë trazirave të 6 janarit 2021, në Kapitol të Shteteve të Bashkuara. /rel