“Loja s’ka mbaruar”, a po paralajmëron SHBA-ja presion të shtuar për Asociacionin?

by Nexhat

Disa gjëra duhet të ndodhin, thotë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, duke theksuar qëndrimin e qartë të SHBA-së tashmë se është çështje thelbësore themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç kishte thënë edhe i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar. Diplomati me shumë përvojë nuk ka dyshim se Washingtoni po ndjek politikën e duhur në raport me dialogun Kosovë-Serbi, dhe pavarësisht (mos)suskesit, paralajmërohet se do të insistohet në zbatim dhe se “loja nuk ka mbaruar”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, një diplomat me përvojë i cili shquhet për angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor, e konsideron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si çështje thelbësore. Në të njëjtën fjali, ai e ka përmendur edhe qasjen e Kosovës në strukturat ndërkombëtare. Sipas SHBA-së, këto dyja lidhen me njëra-tjetrën.

Pavarësisht disa kritikave për politikë më të butë të Perëndimit ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ambasadori Christopher Hill beson se po ndiqet qasja e duhur.

SHBA-ja kishte dëshiruar, siç tha Hill, që “situata në lidhje me dialogun e Brukselit të lëvizte shumë më shpejt”. Këtu, ai e përmendi Asociacionin si çështje shumë me rëndësi, në mënyrë që Kosova të jetë në gjendje për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Ne kemi qenë shumë mbështetës për z. (Miroslav) Lajcak sepse mendojmë se është qasja e duhur dhe do të dëshironim të shihnim një marrëveshje të bazuar në krijimin e një Asociacioni të komunave serbe në mënyrë që serbët që jetojnë në Mitrovicën veriore dhe në Kosovë të mund ta dinë vërtet se çfarë janë rregullat e lojës janë dhe si do të jetë jeta e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne jemi një vend që e njeh Kosovën dhe dëshirojmë ta shohim një Kosovë që është në gjendje të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Mendojmë se kjo është më e mira për Kosovën dhe sinqerisht, më e mira për gjithë qëndrueshmërinë e rajonit. Pra, kjo është politika jonë dhe mendoj se është politika e duhur. Pavarësisht nëse kemi pasur sukses apo jo, loja nuk ka mbaruar, sigurisht, disa gjëra duhet të ndodhin, por unë mendoj se është qasja e duhur dhe ne jemi shumë krenarë që po mbështesim Bashkimin Europian në këtë përpjekje”, tha Hill në një intervistë në programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Tensionet në veri e kanë ndalur dialogun dhe Hill pret që në drejtim të shtensionimit të situatës të ketë lëvizje të reja në shtator, pasi e konsideron urgjente “një përparim në këtë çështje”. Dhe sërish e përmendi Asociacionin.

“Mendoj se të paktën ne e dimë se cilët janë përbërësit për një lloj të ardhmeje të qetë. Është shumë e qartë se ne kemi nevojë për një Asociacion të komunave serbe. Është e qartë se Kosova ka nevojë për qasje më të mirë në strukturat ndërkombëtare. Kështu që mendoj se ne në thelb e dimë se çfarë do të përpiqemi të bëjmë. Problemi është t’i bashkosh të gjitha. Është si një mozaik i madh. E hedh në tavolinë, pastaj duhet ta bashkosh. Nuk është e lehtë”, tha ambasadori amerikan.

SHBA: Asociacioni, rruga që do ta shpie Kosovën në organizatat ndërkombëtare

Kosova ishte çështja kryesore e një diskutimi në Capitol Hill në korrik, ku i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar raportoi për situatën në rajon.

Escobar tregonte qartazi dallimet me Qeverinë në Prishtinë për rrugën e cila sipas tij do ta shpie Kosovën në organizatat ndërkombëtare. Diplomati amerikan shprehej se aspirata më e lartë e SHBA-së në rajon është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Europian dhe ta sigurojë një ulëse në OKB. Asociacionin e përmendte si “një element thelbësor” në këtë qëllim.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Europiane dhe Euroaziatike ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Disa nga to, sipas tij, “nuk mund ta njohin për shkak të mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Për të punuar në rrugën që Escobar thotë se e çon Kosovën në njohjen e plotë ndërkombëtare, ai e kishte përmendur si urë zbatimin e marrëveshjes së fundit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, është shprehur Escobar.

Kjo marrëveshje, Escobar thoshte se ia ka ofruar SHBA-së “mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit” që të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës që të niset “jo vetëm një fushatë europiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve”.

Por në këtë çështje, Escobar kishte thënë se s’po e shihte Qeverinë e Kosovës të rreshtuar krah SHBA-së. Për mënyrën se si të ecet drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, ai thoshte se “deri më tani nuk e kam marrë atë zotim prej Qeverisë së Kosovës”.

Çfarë Asociacioni?

Asociacioni “do t’i fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për t’i bashkërenduar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”, sipas Escobarit.

Shumica e shteteve me të cilat Escobar thoshte se është në kontakt të vazhdueshëm, “do të dëshironin të shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes, që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

“Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta çojë përpara këtë gjë – me mbështetjen amerikane – përmes një rruge që Asociacioni të mos e rrezikojë kushtetutën, apo strukturën ligjore, që të mund ta nisim këtë vit fushatën e njohjeve”, ka deklaruar Escobar në Kongresin Amerikan.

Kurti kërkon “të drejta simetrike” të pakicave, por e merr parasysh qëndrimin amerikan për Asociacionin

Kryeministri Albin Kurti të hënën zhvilloi një takim joformal me liderët tjerë të Ballkanit, ata të BE-së dhe të Ukrainës e Moldavisë.

Ai tregoi sot në një mbledhje të Qeverisë se në darkën joformale në Athinë kishte theksuar se “anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian nuk ka alternativë” dhe se njohja reciproke me Serbinë “është e domosdoshme”, ashtu si “të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave europiane”.

“Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian nuk ka alternativë. Të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE, duhet ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. Dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e europiane është e domosdoshme njohja reciproke de jure e de facto, si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave europiane”, tha Kurti.

Para disa javësh në një intervistë për gazetën kroate, Vecernji list, ai theksoi se i pranon të gjitha pikat e marrëveshjes së fundit me Serbinë dhe kërkoi që të gjitha të zbatohen sa më shpejt. Kurti e përmendte qëndrimin amerikan kur tregonte se çfarë Asociacioni duhet të ketë.

“Por në të njëjtën kohë kemi edhe qëndrimin e qeverisë amerikane, i cili është publikuar në një tekst në të cilin shkruhet se Asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat. Për ne, etnonacionalizmi territorial është absolutisht i papranueshëm. Ky lloj nacionalizmi e ka të domosdoshëm shovinizmin dhe aparteidin, ai është në kundërshtim jo vetëm me shoqërinë qytetare, por madje edhe me nacionalizmin nacional-çlirimtar”, shprehej Kurti.

Pasi mori ndëshkimin e BE-së dhe më pas u pajtua me bllokun europian për një plan për shtensionimin e situatës në veri, Kosovës i kërkohet zbatimi i shpejtë i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Edhe Serbisë i kërkohet e njëjta gjë. Siç pati thënë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk është sekret që ndërkombëtarët duan zbatim këtë vit. Ata duan t’i kthejnë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq shumë shpejt në tavolinën e bisedimeve. Formimi i Asociacionit konsiderohet çështja thelbësore që Kosova duhet ta zbatojë.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy