Dje drejtoresha e kompanisë “Koha”, Flaka Surroi, është ankuar për bllokimin e qasjes në rrugën “Xhorxh Bush” të automjeteve zyrtare të këtij mediumi pas mbylljes për qarkullim të kësaj rruge.
Për këtë çështje sot ka shkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka thënë se interesi i përgjithshëm publik, siguria dhe shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha.
Ai tha se vendimi për të mbyllur një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare është marrë me qëllim të realizimit të planit rigjenerues të këtyre hapësirave publike.
“Ky vendim është marrë me qëllim të realizimit të planit rigjenerues të këtyre hapësirave publike, në konsultim me Universitetin e Prishtinës dhe Bibliotekën Kombëtare, pasi këto pjesë janë duke u përdorur si parkingje dhe bllokojnë shfrytëzimin e këtyre hapësirave nga të gjithë qytetarët.”