Njëmbëdhjetë delegacione në Athinë, Kurti njoftoi vetëm për tre takime bilaterale

by Nexhat

Të hënën kryeministri Albin Kurti udhëtoi drejt Athinës për të marrë pjesë në darkën joformale të shtruar nga homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Në Greqi – për këtë darkë ku do të diskutohej mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe të ardhmen europiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Ukrainës e fqinjit të saj, Moldavisë – shkuan 11 delegacione, mes tyre edhe presidenti i Këshillit Europian dhe presidentja e Komisionit Europian.
Para dhe pas kësaj darke pati takime bilaterale mes shteteve për të diskutuar mbi marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Liderët ballkanikë shfrytëzuan prezencën e liderit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’u takuar me të. Shumë prej tyre, Zelensky i falënderoi që po i qëndrojnë në krah në këtë kohë lufte.

Por, as takim e as falënderim ai nuk pati për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se Kosova i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Rusisë për agresionin e saj.

“Samiti Ukrainë-Ballkan. Bisedime me krerët e Bullgarisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Komisionit Europian. Ne kthehemi në shtëpi me mbështetje të re politike dhe marrëveshje që e bëjnë Ukrainën më të fortë”, shkroi Zelensky në Tëitter.

Jo vetëm që s’pati takim me Zelenskyn, por Kurti pati takime të pakta edhe me liderët e tjerë pjesëmarrës.

“Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Republikës së Kosovës e filloi me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq”, kështu njoftoi të hënën Zyra e Kryeministrit.

Në fakt, takimet me liderët e shteteve pjesëmarrëse, Kurti e filloi dhe e mbaroi vetëm me homologun e tij nga Kroacia.

Në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre.

“Të dy ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”, u tha në njoftimin e Qeverisë.

Kurti takim zhvilloi edhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, me të cilën foli edhe mbi temën e shtensionimit të situatës në veri të vendit.

“Një ndër temat kryesore të këtij diskutimi ishin çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e reformave”.

ZKM tha se Kurti i tregoi presidentes së KE-së mbi progresin ekonomik të Kosovës.

“Ai kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat. Tutje, në bashkëbisedim ai i kushtoi vëmendje edhe rëndësisë së zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që janë nënshkruar në Berlin në nëntorin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit”, u tha në njoftim.

Ndërkaq, sikurse pjesëmarrësit e tjerë, Kurti u prit nga nikoqiri Kyriakos Mitsotakis në një takim në pallatin Maximos.

Me liderin e shtetit që vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës, Kurti foli edhe mbi situatën në veri të vendit, derisa tha se dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm.

“Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, tha ZKM.

Mysafirë të Mitsotakis në Athinë të hënën ishin kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja e Moldavisë Maia Sandu, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatović, kryeministri i Rumanisë Ion-Marcel Ciolacu, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës Borjana Kristo, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovachevski, dhe kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç, në prani të presidentit të Këshillit Europian Charles Michel dhe presidentes të Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Këta udhëheqës njoftuan në profilet zyrtare për disa takime që zhvilluan mes vete në kryeqytetin grek.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy