Dogana e Kosovës ka njoftuar se është arritur një rekord i të hyrave, ku deri me sot janë mbledhur rreth 8 për qind më shumë, mirëpo prezantimi i të tyre nga Lëvizja Vetëvendosje ka nxitur reagime të ekonomistëve të partive opozitare, të cilët kanë kritikuar se po manipulohet me shifra.
Sipas Doganës, sukseset janë rezultat edhe i bashkëpunimit me institucionet relevante, komunitetin e biznesit dhe qytetarët.
“Dogana e Kosovës deri më sot ka arritur të mbledh 1 miliard euro, duke tejkaluar vitin e kaluar me 71 milionë euro apo 7.62 për qind”, thekson Dogana.
Sipas LVV-së, mbledhja e këtyre të hyrave është rezultat i qeverisjes së mirë.
“Ky është rezultat i qeverisjes së mirë dhe përkushtimit të Doganës së Kosovës, Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera në luftimin e ekonomisë joformale kontrabandës dhe promovimit të konkurrencës së ndershme”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
“Ndërkohë, veriu i vendit që ishte parajsë e kontrabandës që furnizonte edhe pjesë të tjera të vendit me mallra të padoganuara më nuk është e tillë”, vijon njoftimi.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se qeverisja aktuale po kërkon shifra të cilat mund ta bëjnë të suksesshme, por që sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka asnjë sukses real në asnjë fushë.