I ftuar në emisionin “Frontal” në T7, ish kryeministri i vendit, tani deputet Ramush Haradinaj, është pyetur për disa figura të rëndësishme politike në vend. Për presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ai tha se është nën hijen e Kurtit dhe e pafuqishme në vendim-marrje, teksa për zv/kryeministrin Besnik Bislimi tha se është “njeri i Serbisë”. Gjithashtu, Haradinaj tregoi një tjetër version të largimit të Armend Mehajt nga ministria e Mbrojtjes, pasi tha se “ka komunikim me të”.
Ramush Haradinaj nuk mendon se Armend Mehaj është larguar për arsye familjare nga ministria, por ai thotë se ish-ministri u largua për shkak të konceptit të VV-së kundër aleatëve dhe për këtë “nuk është pajtu me Albin Kurtin”.
“Nuk kam vlerësim të keq për të, ky nuk është pajtu me Albinin. Me këto koncepte kundër aleatëve tonë dhe u nda prej VV-së me i thanë atij që nuk të përcjelli mbrapa në largimin nga Amerika. Aleatët e nderuan se e bëri veprimin e drejtë në atë rast”, tha Haradinaj për Mehajn.
Kur në ekran i doli fotoja e presidentes Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj tha se nga ajo është pritë shumë, por se është nën hijen e kryeministrit Albin Kurti.
“Është pritë shumë prej saj, po shihet se është në hijen e Kurtit. Është e pafuqishme, s’ka ndonjë rol vendim-marrës, nuk ka ndodhë njëherë me pas një qëddrim të vetin deri sot që dallon nga të tjerët”, tha Haradinaj në “Frontal”, kur u pyet për Osmanin.
Ndërsa, për zv/kryeministrin Besnik Bislimi tha se është “njeri i Serbisë”.
“Njeri i Serbisë, pastër e ke. Dyshoj që është njeri i Serbisë. Gjykata ka me gjeta a është a s’është se këto kanë me kalu nëpër filtra ndonjëherë…Ne me shumë mund e kemi mbërri planin franko-gjerman dhe implementimi i tij e ka pas një dobi të madhe, ky zotëria është shkaktari kryesor që nuk është implementu…”, tha ndër të tjera Haradinaj.
I njëjti u pyet edhe për ministrin Hekuran Murati, për të cilin tha se është “ministër i dëmshëm”.
“I takon shkollës së gabume politike, është ministër i dëmshëm. Nxit urrejtje te palët tjera, me komuna…”, tha ai.
Ndërsa, për Dejona Mihali ai tha se “nuk duhet hetuar”, ashtu siç është kërkuar dhe nuk është ashtu siç thuhet.
“Dejhona Mihaili, e kam taku në të kaluarën, kjo zbaton urdhërat e Kurtit”, u shpreh ai.
Ndërsa për dy kolegët e tij opozitarë, Lumir Abdixhikun e Memli Krasniqin, tha se ka komunikim të mirë me ta dhe i çmon si kolegë.
Në ekran, ish-kryeministrit të vendit iu shfaq edhe fotoja e nipit të tij Luan Haradinaj, për të cilin tha se është “shembull i mirë i ushtarakut, djali i Shkëlzenit”.