Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar falje publike Gjermanisë, lidhur me deklaratën që kishte bërë ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiq, në qershor lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gashiq tha se vrasësi i politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, është nën mbrojtjen e Gjermanisë. Më vonë u arsyetua se në transkriptin e seancës së Kuvendit, nuk ishte vendosur pikëpyetje dhe u keqinterpretua.
Vuçiqi ka thënë se u detyrohet gjermanëve një kërkimfalje.
“Unë u detyrohem gjermanëve një kërkimfalje, ne kontrolluam dhe folëm me anëtarët e shërbimit gjermanë në 20 ditët e fundit për pretendimet e Bratislav Gashiqit se ata mbulonin vrasësit në rastin e Oliver Ivanoviqit. Morëm garanci dhe prova se ata nuk janë duke mbuluar këtë informacion”, tha Vuçiq, raporton “RTS”.
Më 21 qershor, ministri Gashiq, në një seancë të Kuvendit të Serbisë, tha se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e vrau politikanin serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.
“Ne e dimë saktësisht se kush është vrasësi dhe kërkuam nga autoritetet gjermane, nën mbrojtjen e të cilëve ndodhet ai njeri për momentin, që të na japin informacione”, kishte thënë ministri serb, teksa përgjigjej në pyetjet parlamentare.
Një ditë më vonë, më 22 qershor, edhe Gashiq në Kuvend tha se nuk e akuzon Gjermaninë për fshehjen e vrasësit të Oliver Ivanoviqit, por tha se deklarata e tij ishte “transmetuar pa pikëpyetje” dhe kjo i kishte dhënë deklaratës së tij kuptim tjetër.
Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para ndërtesës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Më shumë se pesë vjet pas vrasjes, çështja ende nuk është zbardhur.
Vuçiqi ka thënë se në darkën në Athinë nuk ka nënshkruar pajtimin për “arrestimin e Vladimir Putinit” dhe ka kundërshtuar “kategorikisht qëndrimin për sanksione kundër Rusisë”.
“Gjithçka është e vështirë për ne, në kushte shumë të vështira arritëm të fitonim atë që është e rëndësishme për Serbinë. Ishin katër shtete, dy nga BE-ja dhe Ukraina, të cilat janë nën presion që ta njohin Kosovën. Për ne aty ishin diskutime kyçe. Unë po kërkojë të nxjerri më të mirën për Serbinë”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiqi po ashtu ka thënë se në Athinë “askush nuk e ka dënuar Albin Kurtin për ‘shkeljen e të drejtave të serbëve në Kosovë e M.”.
Vuçiqi ka thënë se në Athinë u dakorduan “vetëm që krimet e luftës dhe mizoritë tjera nuk duhet mbetur pa ndëshkuar” dhe se nuk ka përmendur aty as Federatë e Rusisë e asgjë tjetër.