Kur Yevgeny Prigozhin, lideri i Wagner, u nis me forcat e tij drejt Moskës në një rebelim të papritur, ai mori epitetin e rivalit të presidentit rus, Vladimir Putin. Përpjekja e tij për grusht shteti mund të ketë mbaruar tani për tani, por Rusia po hyn në një fazë të re dhe të paparashikueshme, shkruanin mediat ndërkombëtare.
Dy muaj pas atij manovrimi, Prigozhin vdiq, ashtu siç disa kishin parashikuar. “Brenda gjashtë muajve ose Prigozhin do të vdesë ose do të ketë një grusht shteti të dytë kundër Putinit”. Ky ishte parashikimi i Christo Grozev, kreut të hetimeve për Rusinë i Bellingcat, grupin e hulumtimeve gazetareske dhe autorit të shumë lajmeve mbi komplotet dhe atentatet e organizuara nga Rusia. Fundi i shefit të Wagnerit s’e ka befasuar as Perëndimin
Një i vdekur që ecën”, cilësohej ai pas rebelimit të dështuar. “Hakmarrja”, komentoi shefi i CIA-s, William Burns, “është një pjatë që Putini preferon ta servirë të ftohtë”.
62-vjeçari u raportua se vdiq të mërkurën në një aksident ajror, pasi avioni me të cilin ai po udhëtonte u rrëzua në rajonin Tver në veri të Moskës. Me të ishte edhe komandanti i grupit të mercenarëve të Wagnerit, Dimitry Utkin. Vdiqën të gjithë që ishin në bordin e avionit. Mediat ndërkombëtare si CNN dhe BBC raportuan kujdeshëm duke mos e raportuar 100 përqind të sigurt lajmin për vdekjen e tij.
Rosaviatsia, autoriteti rus i aviacionit, tha se Prigozhin dhe Utkin ishin midis 10 personave që udhëtonin me një avion biznesi Embraer. Shkaku i rrëzimit u bë i qartë, por kundërshtimet e hapura të Wagnerit me ushtrinë ruse dhe kryengritja e armatosur që Prigozhini e udhëhoqi në qershor do t’i jepte shtetit rus motiv të mjaftueshëm për hakmarrje.
Sipas Reuters, avioni Embraer që u rrëzua me Prigozhinin në bord kishte regjistruar vetëm një aksident në më shumë se 20 vjet shërbim, dhe kjo nuk lidhej me ndonjë problem mekanik.
Reagimi i Perëndimit
Perëndimi beson se Yevgeny Prigozhin u vra me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Kështu thotë Instituti Amerikan për Studimet e Luftës në një raport të publikuar.
Analistët theksojnë se asgjë nuk ndodh në Rusi pa marrë miratimin e Putinit dhe se ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, apo shefi i ushtrisë, Valeri Gerasimov, nuk mund të merrnin hak ndaj Ëagnerit pa një urdhër nga presidenti rus.
Këtë e beson edhe presidenti amerikan, Joe Biden. “Nuk e di çfarë ka ndodhur, por nuk jam i befasuar. Nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi e që Putini nuk është prapa. Por unë nuk di mjaftueshëm për ta ditur përgjigjen”, ishte komenti i shkurtër i Biden.
Vdekja e Prigozhinit ndjek një model të vdekjeve “të paqarta” në Rusi, tha të enjten ministrja i Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke shtuar se nuk ishte rastësi që fokusi i është drejtuar Kremlinit për përgjigje.
“Nuk është rastësi që bota e shikon menjëherë Kremlinin kur një ish i besuar i Putinit i turpëruar papritmas, fjalë për fjalë bie nga qielli dy muaj pasi tentoi një kryengritje”, tha ajo.
“Ne e dimë këtë model në Rusinë e Putinit: vdekje, vetëvrasje të dyshimta, rënie nga dritaret, të gjitha këto të cilat mbeten të paqarta – që nënvizojnë një sistem pushteti diktatorial që është ndërtuar mbi dhunën”, tha Baerbock.
Franca ka dyshime lidhur me atë çfarë ka ndodhur realisht.
“Vdekja e Prigozhin lë pas një kaos të tmerrshëm në pjesën më të madhe të botës për shkak të politikave që ka zhvilluar bashkë me Putinin”, theksoi zëdhënësi i qeverisë franceze, Olivier Veran.
Çka tha Ukraina?
Zyrtarët në Ukrainë reaguan duke e konsideruar vrasjen e Prigozhinit sinjal nga Putini për politikën në Rusi përpara zgjedhjeve të 2024-ës.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se rrëzimi i avionit të mërkurën në mbrëmje – saktësisht dy muaj pasi forcat e Wagner marshuan derjt Moskës – ishte “një sinjal nga Putini për elitat e Rusisë përpara zgjedhjeve të vitit 2024.
“Kujdes! Mosbesnikëria është e barabartë me vdekjen”, tha ai.
Putini s’e pëmendi hiç
Asnjë reagim zyrtar nuk ka ardhur nga Rusia lidhur me vdekjen e Prigozhinit. Presidenti rus, Vladimir Putin që ka bërë disa dalje publike që nga rrëzimi i avionit nuk ka thënë asnjë fjalë për fatin e ish mikut të tij të afërt.
Mbrëmë, pak pasi u publikua lajmi se Prigozhin ishte në bordin e avionit të rrëzuar, Putin u shfaq në një koncert përkujtimor në rajonin e Kursk, ku shënohej përvjetori i një beteje të Luftës së Dytë Botërore. Ai bëri homazhe për rusët e vrarë gjatë luftës në Ukrainë.
Shefi i Wagner u deklarua i tillë publikisht vetëm kur nisi lufta në Ukrainë, përmes një videoje në oborrin e një burgu rus. Kishte arritur t’i bindte shumë të burgosur të shërbenin për Rusinë në luftë. Edhe pse në fakt u bënë “mish për top”, Prigozhin shihej si njëfarë “heroi” në Rusi. Ishte ky lloj pushteti që e nxiti të marshonte drejt Moskës në qershor. Ajo përpjekje mori fund. Edhe jeta e Prigozhinit mori fund