Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se është ftuar për intervistë nga Prokuroria Speciale për atë që kishte shkruar lidhur me lirimin e Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Por çfarë kishte shkruar Manxhuka rreth tetë muaj më parë.
Vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë për Dejan Pantiq, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, Manxhuka e kishte cilësuar si “akttradhëti”.
“Ky aktlirim është akttradhëti”
Po të njejtën ditë, më 28 dhjetor 2022, Manxhuka kishte pyetur se për kë punon Gjykata Themelore e Prishtinës, duke e cituar edhe Kurtin.
“Për kë punon kjo Gjykatë?! “Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim”, Kryeministri Kurti”, kishte shkruar Manxhuka.
Lajmin për ndryshimin e masës së sigurisë atë kohë për Express e kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo kishte treguar se ky ndryshim është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, tha Gashi.
Pantiq u arrestua nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë. Arrestimi i Pantiqit u bë shkas që serbët në Veri të vendosin barrikada nëpër rrugë.