Sipas një njoftimi të publikuar nga komuna e Pejës, sot është bërë inaugurimi i investimit të shndërrimit të sistemit të ngrohjes nga rryma klasike në ngrohje me pajisje efiçiente (pompa termike) në Qendrën e Mjekësisë Familjare 5, në lagjen “Fidanishte” të qytetit të Pejës.
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, Komandanti i Komandës Rajonale – Perëndim, Kolonel Gabriele VACCA, Togeri i Shkallës së Parë, Saverio RUGGIERO, Shef i CIMIC-ut, si dhe Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Pejës, z. Petrit Loci kanë bërë inaugurimin e investimit në sistemin e ngrohjes me pompa termike, në Qendrën e Mjekësisë Familjare 5, në “Fidanishte”.
Drejtori Loci theksoi se ky investim është bërë nga KFOR-i Italian, të cilët i falënderoi për donacionin e dhuruar, i cili është një investim i duhur, pasi funksioni i këtyre pompave termike është ta kursejnë energjinë elektrike dhe të rrisë cilësinë e ngrohjes për stinën e dimrit.
Autoritet komunale falenderuan përfaqësuesit e KFOR-it italian dhe shprehën mirënjohje për të gjitha donacionet e bëra deri më sot për qytetarët e Pejës.