Kurti merr pjesë në panairin e rinisë, ende qëndron i heshtur pas skandaleve të fundit

by Nexhat

Kur të rinjtë mblidhen bashkë nuk ka si të mungojë kryeministri i vendit.

Kurti këtë të premte mori pjesë në Panairin e Rinisë ku mbi 50 të rinj promovuan talentin e tyre.

E në paraqitjen e tij të parë para mediave pas skandaleve të fundit edhe kësaj radhe ai qëndroi i heshtur.

As pas 10 ditësh kryeministri Albin Kurti nuk dha asnjë deklaratë për ish-asamblistin e Vetëvendosjes Besnik Mujeci, i dyshuar për trafikim me drogë.

Para mediave nuk foli as për keqpërdorimin me rezervat shtetërore nga MINT.

Megjithatë, i heshtur nuk qëndroi edhe para të rinjve në panair.

Edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në hapjen e kësaj ceremonie theksoi se përpiqen që Kosovën ta bëjnë vend sa më tërheqës për moshat e reja.

 “Si Ministri e Rinisë bashkë me gjithë Qeverinë deri tani kemi bërë disa veprime shumë të rëndësishme edhe në nivel të politikave, të programeve dhe të mbështetjes financiare për ta zhvilluar potencialin rinor në vendin tonë. Dhe jam i bindur që edhe me angazhimin e gjithë juve dhe angazhimin e partnerëve tanë, ne do të arrijmë ta zhvillojmë tutje këtë potencial, dhe Kosovën tonë ta bëjmë vend sa më tërheqës për rininë tonë dhe për punët e mira që ju i realizoni”

Po ashtu, edhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Nona Zicherman tha se po bashkëpunojnë me partnerë të tjerë që t’u mundësojnë të rinjve t’i zhvillojnë aftësitë e tyre.

 “Fuqizimi dhe përforcimi i zërave të adoleshentëve dhe të rinjve, është fokusi kryesor i punës së UNICEF-it, këtu në Kosovë. Ne bashkëpunojmë me partnerë nga qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat për të zgjeruar programet dhe platformat që angazhojnë të rinj nga të gjitha komunitetet, që u japin atyre mundësi kuptimplote për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’u lidhur me të tjerët, si dhe u ofrojnë atyre hapësirë për të ndarë dhe rritur idetë, produktet dhe shërbimet e tyre inovative. Shpesh flasim më shumë për sfidat dhe më pak për mundësitë, por e dimë se vendosmëria e të rinjve mund të na ndihmojë të kapërcejmë sfidat tona kolektive dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur”,

Mbështetje nga shteti po presin edhe vetë të rinjtë që morën pjesë në panair.

” Për momentin ndonjë mbështetje të madhe nuk ka pasur, përveç Komunës së Kamenicës që ka shpreh dëshirën për të më financuar me disa pajisje, që të bëjmë dronët… Besoj që të ardhmen duke u financuar edhe nga shteti do të fillojmë të ndërtojmë dronë që do të kryejnë shërbime edhe për ushtrinë”

“Prej këtij panairi presim socializimin me njerëz të ndryshëm të cilët marrin pjesë në këtë panair, si dhe shitjen e disa pikturave të organizatës tonë. Ne jemi organizata “The Art”, ku jemi disa të reja prej moshës 14 vjeçare deri në mosha më të mëdha”

Panairi u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-in. /T7

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy