Presidenti i Federatës spanjolle të futbollit të femrave, Luis Rubiales këmbënguli sot në mbledhjen e Asamblesë se nuk do të tërhiqet pas skandalit të shënuar në ceremoninë e ngritjes së Kupës së Botës në Australi.
Edhe pse puthi në buzë sulmuesen Jennifer Hermoso gjatë festës për trofeun, Rubiales nuk pranoi që të heqë dorë nga posti, duke thënë se “të njëjtën puthje mund t’i jepja njërës prej vajzave të mia”.
Rubiales në mbledhjen e Asamblesë më herët gjatë ditës pretendoi se puthja ishte “e ndërsjellë dhe me pëlqim”, e madje shtoi se ka rënë “viktimë e një gjueti shtrigash nga feministet e rreme”.
Sipas versionit të Presidenti, Hermoso e kishte ngritur lart për të festuar dhe ai i kërkoi asaj “një puthje të vogël?” dhe ajo i ishte përgjigjur duke thënë “po”.
“Unë nuk do të jap dorëheqjen”, përsëriti katër herë me shpejtësi ai në mbyllje të fjalës.
Por nuk mendon kështu Jenni Hermoso, e cila ka reaguar mbrëmjen e së premtes duke thënë: “Në asnjë moment nuk kam pranuar një puthje të vullnetshme”.
Sulmuesja 33-vjeçare, e cila ishte kontribuuesja kryesore në fitoren e Spanjës, tha për veprimin e Luis Rubiales: “Nuk më pëlqeu, por çfarë mund të bëja?“
Futbollistja shton në reagimin e saj se akte të tilla “nuk duhet të mbeten kurrë pa u ndëshkuar”.
Tashmë duket se çështja e puthjes shkon përtej Rubiales dhe Hermosso-s, pasi skuadra që i dha Spanjës botërorin e femrave ka reaguar ashpër, duke njoftuar se futbollistet nuk do të luajnë asnjë ndeshje tjetër për vendin e tyre derisa “udhëheqja e federatës të dorëhiqet“.
Një total prej 56 lojtaresh, përfshirë 23 futbollistet e grumbulluara në ekipin fitues të Kupës së Botës, nënshkruan një deklaratë të përbashkët pasi Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës refuzoi të jepte dorëheqjen.
Qeveria spanjolle po ashtu ka nisur veprimet ligjore për të pezulluar Rubiales nga posti i tij dhe kreu i komitetit të futbollit të femrave të Spanjës është larguar nga detyra.