Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë udhëtuar jashtë vendit,
Kurti u nis për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023. Ndërsa Osmani është nisur për në Alpbach të Austrisë, për të marrë pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Europian Alpbach 2023.
Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, Kurti “do të marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob, ndërkaq të hënën do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale”.
Ndërsa në Forumin tjetër në Austri, Osmani “do të jetë folëse në panelin kryesor në hapje të Forumit, i cili do të fokusohet në rishikimin e politikës aktuale të zgjerimit, adresimit të sfidave aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian”, siç njoftoi zyra e për shtyp e Presidencës.
“Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej”, thuhet në njoftim.
Presidenca thotë se “Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike”.