Një rast mjaft i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në qytetin e Gjilanit, ku një vajzë 21-vjeçare ka kërkuar ndihmën e policisë pasi u detyrua që të kryejë marrëdhënie seksuale me një person.
Siç shkruan sinjali, burimet u kanë bërë me dije se vajza ka rrëfyer detaje të tmerrshme se si i dyshuari e ka filmuar aktet e tij të shëmtuara me të, vetëm e vetëm që ta mbajë në grusht viktimën, duke e kërcënuar, kushtëzuar e shantazhuar.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë hetuesve policorë, i dyshuari i ka kërkuar edhe të holla vajzës, rreth një mijë euro, me kusht që pamjet që i posedonte të mos publikoheshin.
Si rezultat i denoncimit, policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë vënë në lëvizje për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.
Pas përfundimit të procedurave policore, hetimet kanë nisur në drejtim të dy veprave penale ‘Dhunim’ dhe ‘Shantazh’.