Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për rëndësinë pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit, bashkë me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të BE-së.
“Është shumë inkurajuese që ekziston një alarm i përgjithshëm për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, në mënyrë që shtetet të cilat duan të bëhen pjesë e BE-së ta kenë më reale një mundësi të tillë, dhe demokracia dhe progresi ekonomik në vendin tonë padyshim që japin shpresa edhe për qytetarët e Kosovës, por njëkohësisht edhe për BE-në që të na ndihmoj më shumë”, tha Kurti për RTK-në.
Ndërkohë, në një intervistë dhënë për Radiotelevizionin e Sllovenisë, Kurti ka folur për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, për të cilat tha se do të ndodhin në vjeshtë, themelimin e asociacionit dhe masat ndëshkuese që BE- i ka vënë Kosovës, pas trazirave në veri të vendit.
Kurti ka kritikuar qasjen e autoriteteve të Beogradit, që sipas tij po bëjnë gjithçka që mos t’i lejojnë serbët në veri të integrohen dhe për këtë ka thënë se ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian. Kjo e fundit duhet të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, tha Kurti.
“Ka pasur disa sanksione, ndaj vendit tonë demokratik, për shkak të gjendjes në veri, për të cilën gjë nuk kemi ndonjë përgjegjësi, ne po luftojmë ekstremizmin e dhunshëm atje, ku janë sulmuar ushtarët e KFOR-it, qytetarët e Kosovës dhe gazetarët. Është e vërtetë që qytetarët po i vuajnë këto masa, komuniteti i biznesit por edhe agjencitë shtetërore në aspektin e marrëveshjes së stabilizim asocicimit, e cila nuk po ecë tutje. Të gjitha grantet janë pezulluar, dhe heqja e këtyre masave është gjëja e duhur që duhet ta bëjë BE-ja”, tha Kurti.
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për rëndësinë e perspektives së qartë të BE-se në raportet Kosovë- Serbi e cila sipas tij do të përcaktonte të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.