Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, më 20 korrik kishte filluar pushimin e tij të verës, duke e lënë kështu në pauzë për pak kohë edhe procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë muaji shtator pritet të kthejë tempon në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Borell do të rikthehet në zyrë në shtator, ndërkohë veçse është filluar të flitet për përgatitjet dhe një takim të mundshëm të nivelit të lartë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic.
Këtë e kanë konfirmuar edhe emisari sllovak, Miroslav Lajcak dhe kryeministri Albin Kurti pas takimit që kanë pasur dje në Bled të Sllovenisë. Emisari sllovak ka përmendur muajin shtator.
“Patëm një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Temat kryesore të diskutimit ishin përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Lajcak.