“Dukej sikur vjeshta kishte ardhur më herët ne Bled”, Kurti me një përmbledhje për aktivitetin në Slloveni

by Nexhat

”Dukej sikur vjeshta kishte ardhur më herët”, kështu e shpjegon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Forumin e Bledit të mbajtur në Slloveni, ku mori pjesë edhe ai.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka shkruar në Facebook, të martën për aktivitetin e tij në këtë Forum.

Ai kishte një mori takimesh të nivelit të lartë, po ashtu edhe një debat me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, të cilës i tha se “Serbia nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe Putini”.

”Diskutimet dhe shkëmbimet mbi bashkëpunimin rajonal, sigurinë e kontinentit dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nga samiti i javës së kaluar në Athinë, i vijuam edhe në Forumin Strategjik të Bledit të Sllovenisë”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.

Ai ka folur edhe për mesazhet që u dhanë, për vlerat e parimet e përbashkëta në mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE).

”Me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tone”, ka thënë Kurti.

Postimi i z.Kurti

Pas darkës së shtruar nga Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob të dielën e 27 gushtit pranë liqenit të bukur të Bledit, të hënën filluan punimet zyrtare në sallën e festivaleve në Bled. Me mjegullen mbi liqe, qiellin e ngrysur dhe temperaturat e ulëta dukej sikur vjeshta kishte ardhur më herët në Bled por shiu që ra vetëm sa ja shtoi bukurinë qytetit mes bjeshkëve.

Diskutimet dhe shkëmbimet mbi bashkëpunimin rajonal, sigurinë e kontinentit dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nga samiti i javës së kaluar në Athinë, i vijuam edhe në Forumin Strategjik të Bledit të Sllovenisë.

Të dielën, pasi vizitova ekspozitën e artistes sonë Flaka Haliti në Galerinë Artit në Lubjanë, në mbrëmje iu bashkëngjita darkës së punës të ftuar nga Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob me liderë të rajonit dhe me presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel. Krahas theksit mbi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, aty mirëprita thirrjet e Kryeministrit slloven, Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Ditën e hënë e fillova me panelin e Liderëve në të cilin ndër të tjerash thashë se i gjithë rajoni duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s ashtu që gjenerata e ardhshme të mos përjetojë vështirësitë që kemi përjetuar ne, ndërkohë duhet të ketë njohje reciproke, respektim të të drejtave të pakicave kombëtare dhe të ketë ballafaqim me të kaluarën.

Pasdite, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëresha Kryeziu Hyseni, zhvilluam takime bilaterale me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob. Falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të të dy këtyre shteteve ndaj Kosovës, me të dy kryeministrat, folëm për forcimin e raporteve bilaterale, sidomos në rrafshin ekonomik dhe tregtar.

Në takimin e pestë këtë vit me Lord Peach, të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, diskutuam për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe procesin e dialogut.

Për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër dhe takimin e radhës të nivelit të lartë në muajin tjetër bisedova me emisarin e BE-së, Lajçak. Ndërkaq me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter folëm për situatën tashmë të deeskaluar në katër komunat në veri dhe për rëndësinë e parandalimit të rieskalimit potencial të saj.

Me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tonë.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy