Kievi ka sulmuar Papa Françeskun duke e akuzuar atë për “propagandë imperialiste” në një fjalim të mbajtur më 25 gusht përmes lidhjes video në Ditën e Rinisë Ruse në Shën Petersburg.
“Është vërtet për të ardhur keq që idetë e një fuqie të madhe ruse, të cilat në fakt janë shkaku i agresivitetit kronik të Rusisë, me vetëdije apo pa vetëdije, dalin nga buzët e Papës, misioni i të cilit, për mendimin tonë, është pikërisht të hapë sytë e rinisë ruse në kursin shkatërrues të udhëheqjes aktuale ruse”, shkroi në Facebook zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.
Në postim, Nikolenko citon një fragment nga fjalimi në Shën Petersburg që i atribuohet Papës: “‘Mos harroni kurrë trashëgiminë tuaj. Ju jeni fëmijët e Rusisë së madhe: Rusia e madhe e shenjtorëve, e mbretërve, Rusia e madhe e Pjetrit I, Katerina II, ajo perandori e madhe, e kulturuar e kulturës së madhe dhe e njerëzimit të madh. Asnjëherë mos hiqni dorë nga kjo trashëgimi. Ju jeni trashëgimtarë të Nënës së madhe Rusi, vazhdoni me të. Dhe faleminderit, faleminderit për mënyrën tuaj të të qenit, për mënyrën tuaj të të qenit rus.’
Ky është një citim nga fjalimi i Papa Françeskut drejtuar pjesëmarrësve të Ditës së 10-të të Rinisë Katolike Gjith-Ruse të mbajtur në Shën Petersburg më 25 gusht”, shkroi zyrtari ukrainas në rrjetet sociale.
“Është me një propagandë të tillë imperialiste” dhe “nevoja” për të shpëtuar “Nënën e Madhe Rusi” që Kremlini justifikon vrasjen e mijëra burrave dhe grave ukrainase dhe shkatërrimin e qindra qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës,” shtoi zëdhënësi.