Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të mërkurën se ka informacione të reja nga inteligjenca se presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë shkëmbyer letra për furnizimin e Rusisë me municione nga Koreja e Veriut për luftën në Ukrainë, raportoi AP.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, detajoi zbulimin e fundit vetëm disa javë pasi Shtëpia e Bardhë tha se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu gjatë një vizite të fundit në Phenian u bëri thirrje zyrtarëve të Koresë së Veriut që të rrisin shitjen e municioneve në Moskë për luftën e saj në Ukrainë.
Kirby tha se Rusia po kërkon predha shtesë artilerie dhe materiale të tjera bazë për të forcuar bazën e saj industriale të mbrojtjes.
Ai shtoi se bisedimet ruse dhe koreano-veriore për shitjen e armëve po përparojnë.
“Pas vizitës së Shoigut, një grup tjetër zyrtarësh rusë udhëtoi për në Phenian për diskutime të mëtejshme rreth marrëveshjeve të mundshme të armëve midis DPRK-së dhe Rusisë,” tha Kirby, duke përdorur akronimin për Republikën Popullore Demokratike të Koresë.
Kirby nuk pranoi të detajojë se si zyrtarët amerikanë kanë mbledhur informacionet
Pak përpara se Shtëpia e Bardhë të zbulonte informacionin e ri në lidhje me bisedimet për armët e Koresë së Veriut dhe Rusisë, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike drejt ujërave të saj lindore, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut.
Administrata e Biden-it ka deklaruar vazhdimisht se Kremlini është bërë i varur nga Koreja e Veriut, si dhe nga Irani, për armët që i nevojiten për të luftuar kundër Ukrainës. Koreja e Veriut dhe Irani janë kryesisht të izoluara në skenën ndërkombëtare për programet e tyre bërthamore.
Çdo marrëveshje armësh mes Rusisë dhe Koresë së Veriut do të shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbështetur nga Rusia, që ndalojnë të gjitha vendet të blejnë ose të marrin ndonjë armë nga ky vend.